Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 336 NGA 366


Përgatit udhën

“Dhe ai do t’i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre. Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t’i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe të pabindurit në mençurinë e të drejtëve, për t’ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur.” (Luka 1:16-17)

Adventi mund të bëjë për ne atë që Gjon Pagëzori bëri për Izraelin. Mos lejo që Krishtlindja të të gjejë të papërgatitur, pra, frymërisht të papërgatitur. Nëse je gati gëzimi dhe ndikimi i saj do të jetë shumë herë më i madh!

Që të jesh i përgatitur...

Së pari, medito për faktin që kemi nevojë për një Shpëtimtar. Krishtlindja na padit, para se të na bëhet kënaqësi. “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti” (Luka 2:11). Nëse s’ke nevojë për një Shpëtimtar, atëherë s’ke nevojë për Krishtlindjen. Ajo nuk do të ketë efektin e saj të caktuar derisa ta ndiejmë thellësisht nevojën për një Shpëtimtar. Lejoji këto meditime të shkurtra për Adventin të të ndihmojnë që brenda teje të rizgjohet ndjesia e hidhur dhe njëkohësisht e ëmbël e nevojës për Shpëtimtarin.

Së dyti, përfshihu në një vetëshqyrtim të sinqertë. Periudha e pritjes së Adventit është pak a shumë si Kreshma për Pashkën. “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia; dhe shiko nëse ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme” (Psalmi 139:23-24). Çdo zemër le të bëjë vend për Krishtin... duke e pastruar shtëpinë.

Së treti, krijo një pritje dhe ngazëllim që ka Perëndinë në qendër të shtëpisë tënde–në mënyrë të veçantë te fëmijët. Nëse je i ngazëlluar për Krishtin, edhe ata do të jenë gjithashtu. Nëse mund ta bësh Krishtlindjen ngazëlluese vetëm me gjëra materiale, si do të fitojnë fëmijët një etje për Perëndinë? Vër në punë imagjinatën, në mënyrë që ta bësh të dukshme mrekullinë e ardhjes së Mbretit për fëmijët.

Së katërti, kalo shumë kohë me Shkrimin dhe mëso përmendsh pjesë të rëndësishme të tij! “A nuk është fjala ime si zjarri?, thotë Zoti” (Jeremia 23:29). Mblidhuni rreth këtij zjarri këtë stinë Adventi. Është ngrohtë, shkëlqen ngjyrat e hirit, është shërim për një mijë lëndime dhe dritë për netët e errëta.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​