Solid Joys ShqipShembull

Turpi triumfues i kryqit
[Krishti nuk e ofroi] si fli veten e vet shumë herë, sikurse kryeprifti që hyn vit për vit në shenjtërore me gjakun e një tjetri, sepse përndryshe ai duhet të vuante shumë herë qëkurse u krijua bota; por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve, Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes. (Hebrenjve 9:25-26)
Kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë që duhet të ketë një mikpritje për mëkatarët në qiell.
Perëndia është i shenjtë, i pastër dhe përsosmërisht i drejtë. Megjithatë, e gjithë historia e Biblës tregon se si një Perëndi kaq i madh dhe i shenjtë mundet dhe në të vërtet i mirëpret në favorin e tij njerëzit e pistë dhe jo të shenjtë si ti dhe unë. Si mund të ndodhë kjo?
Hebrenjve 9:25 thotë se flijimi i Krishtit për mëkatin nuk ishte si flijimet e kryepriftërinjve judenj. Ata hynin në vendin e shenjtë çdo vit me flijimet e kafshëve për të bërë shlyerjen për mëkatet e popullit. Por këto vargje thonë se Krishti nuk hyri në qiell për “ta ofruar si fli veten e vet shumë herë... sepse përndryshe ai duhet të vuante shumë herë qëkurse u krijua bota” (Hebrenjve 9:25-26).
Nëse Krishti do të ndiqte modelin e priftërinjve, atëherë Atij do t’i duhej të vdiste çdo vit. Përderisa mëkatet që duheshin mbuluar, përfshijnë mëkatet e Adamit dhe Evës, Atij do t’i duhej ta fillonte vdekjen e Tij të përvitshme që nga themelimi i botës. Por shkrimtari i Hebrenjve e trajton këtë si diçka të pakonceptueshme.
Pse është e pakonceptueshme? Sepse kjo do ta bënte vdekjen e Birit të Perëndisë të dukej e dobët dhe e paefektshme. Nëse ajo duhet të përsëritet vit pas viti për shekuj me radhë, ku do të ishte triumfi? Ku do ta shihnim vlerën e pafundme të flijimit të Birit të Perëndisë? Ajo do të humbiste në turpin e vdekjes dhe vuajtjes së përvitshme.
Në kryq kishte turp, por ishte një turp triumfues. “[Jezusi e përçmoi] fyerjen dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë” (Hebrenjve 12:2).
Ky është ungjilli i lavdisë së +Krishtit, shëmbëllimit të Perëndisë (2 e Korintasve 4:4). Lutem që pavarësisht se sa i pistë apo jo i shenjtë që mund të jesh nga mëkati, ta shohësh dritën e lavdisë së Tij dhe të besosh në Të.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione