Solid Joys ShqipShembull

Si ta madhështosh Perëndinë
Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë dhe do ta madhështoj me lavde. (Psalmi 69:30)
Ekzistojnë dy lloje zmadhimi: ai i mikroskopit dhe tjetri i teleskopit. Mikroskopi i bën gjërat e vogla të duken më të mëdha sesa janë. Teleskopi i bën gjërat e mëdha të duken po aq të mëdha sa janë në realitet.
Kur Davidi thotë: “do ta madhështoj me lavde,” ai nuk po thotë: “Do të bëj që një Perëndi i vogël të duket më i madh sesa është.” Ai po thotë: “Do të bëj që një Perëndi i madh të fillojë të duket po aq i madh sa është në realitet.”
Ne nuk jemi thirrur që të jemi mikroskopë. Jemi thirrur të jemi teleskopë. Të krishterët nuk janë thirrur të jenë mashtrues që e zmadhojnë atë që kanë për të ofruar në përmasa të ekzagjeruara, kur e dinë se produkti i konkurrentit të tyre është shumë më i mirë. Nuk ka asgjë dhe asnjë më të lartë se Perëndia. Prandaj, thirrja e atyre që e duan Perëndinë, është që ta bëjnë madhështinë e Tij të fillojë të duket aq e madhe sa është në të vërtetë.
Kjo është arsyeja pse ekzistojmë, është arsyeja pse u shpëtuam, siç thotë edhe Pjetri te 1 e Pjetrit 2:9: “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull i fituar nga Perëndia, që të shpallni lavdinë e atij, që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.”
E gjithë detyra e të krishterit mund të përmblidhet kështu: ndiej, mendo, vepro në një mënyrë që do ta bëjë Perëndinë të duket aq i madh sa është në të vërtetë. Ji një teleskop që shërben për të parë botën e pasurisë së pafundme të lavdisë së Perëndisë.
Ky është kuptimi i madhërimit të Perëndisë nga i krishteri. Por ti nuk mund ta madhërosh dot atë që nuk e ke parë ose që e harron shpejt.
Prandaj, detyra jonë e parë është të shohim dhe të kujtojmë madhështinë e mirësisë së Perëndisë. Prandaj i lutemi Perëndisë: “Ndriçoji sytë e mendjes time!” (Efesianëve 1:18), dhe i predikojmë shpirtit tonë: “Shpirti im, mos harro asnjë nga të mirat e tij!” (Psalmi 103:2).
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione