Solid Joys ShqipShembull

Përlëvdoje Perëndinë duke falënderuar
Sepse çdo gjë ndodh për shkakun tuaj që hiri duke u shtuar nëpërmjet shumë vetave të bëjë që falënderimi të teprojë për lavdi të Perëndisë. (2 e Korintasve 4:15)
Mirënjohja ndaj Perëndisë është një emocion i gëzueshëm. Ne kemi një ndjesi borxhi të gëzueshëm për hirin e tij. Prandaj, në njëfarë kuptimi, në vetë emocionin e mirënjohjes, ne jemi ende përfitues. Por në vetë natyrën e saj, mirënjohja përlëvdon dhënësin. Kur ndihemi mirënjohës, ne e pranojmë nevojën tonë dhe bamirësinë e Perëndisë, plotësinë e Tij dhe pasuritë e lavdisë së Tij.
Ashtu sikurse e përul veten time dhe lartësoj kamerierin e restorantit kur i them: “Faleminderit”, po kështu e përul veten time dhe e lartësoj Perëndinë kur ndiej mirënjohje ndaj Tij. Sigurisht që ndryshimi është se unë jam me të vërtetë pafundësisht borxhli ndaj Perëndisë për hirin e Tij, dhe gjithçka që Ai bën për mua është falas dhe e pamerituar.
Ideja është që mirënjohja përlëvdon dhënësin. Ajo përlëvdon Perëndinë. Ky është synimi final i Palit në të gjitha mundimet e tij. Po, mundimet e tij janë për hir të kishës–për të mirën e kishës. Por kisha nuk është synimi i tij më i lartë. Dëgjoje sërish: “Sepse çdo gjë ndodh për shkakun tuaj që hiri duke u shtuar nëpërmjet shumë vetave të bëjë që falënderimi të teprojë për lavdi të Perëndisë.” Çdo gjë ndodh për shkakun tuaj–për lavdinë e Perëndisë!
Gjëja e mrekullueshme e ungjillit është se reagimi që ai kërkon nga ne për lavdinë e Perëndisë, është gjithashtu reagimi më i natyrshëm dhe më i gëzueshëm; domethënë, të jesh mirënjohës për hirin. Lavdia e Perëndisë që siguron gjithçka kur jep dhe ngazëllimi ynë i përulur kur pranojmë, nuk janë në konkurrencë. Falënderimi i gëzueshëm e përlëvdon Perëndinë.
Një jetë që i jep lavdi Perëndisë për hirin e Tij dhe një jetë që mbart mirënjohjen më të thellë, janë e njëjta gjë. Ajo që i bën të jenë e njëjta gjë, është falënderimi.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione