Solid Joys ShqipShembull

Shpirti im ka etje për Perëndinë
Ashtu si drenusha ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi. Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe të paraqitem para Perëndisë? (Psalmi 42:1-2)
Çfarë e bën këtë psalm kaq të bukur dhe kaq jetik për ne është fakti që psalmisti nuk ka etje kryesisht për lehtësim nga rrethanat e tij kërcënuese. Ai nuk dëshiron kryesisht çlirim nga armiqtë e tij ose nga shkatërrimi i tyre.
Nuk është gabim të dëshirojmë lehtësim dhe të lutemi për këtë. Ndonjëherë është me vend të lutemi për mposhtjen e armiqve. Por më e rëndësishme se të gjitha këto është vetë Perëndia.
Kur mendojmë dhe ndiejmë për Perëndinë në Psalme, rezultati kryesor është ky: Ne e duam Perëndinë, duam ta shohim Atë dhe të jemi me Të. Duam të kënaqemi duke e admiruar dhe duke e lartësuar Perëndinë.
Një përkthim i mundshëm për fundin e vargut 2 është: “Kur do të vij dhe të shoh fytyrën e Perëndisë?” Përgjigjja përfundimtare u dha te Gjoni 14:9 dhe 2 e Korintasve 4:4. Jezusi tha: “Kush më ka parë mua, ka parë Atin.” Pali tha se kur konvertohemi te Krishti, ne shohim dritën “e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë.”
Kur ne shohim fytyrën e Krishtit, ne shohim fytyrën e Perëndisë. Ne shohim lavdinë e fytyrës së Krishtit kur dëgjojmë historinë e ungjillit të vdekjes dhe ringjalljes së Tij, thotë Pali te 2 e Korintasve 4:4 dhe 6. Ai e quan atë “ungjilli i lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë.” Ose (vargu 6): njohuria “e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.”
Zoti jua shtoftë urinë dhe etjen për të parë fytyrën e Perëndisë! Ai jua plotësoftë dëshirën edhe sot përmes ungjillit të lavdisë së Krishtit, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione