Solid Joys ShqipShembull

Tre shembuj se si besimi e përmbush vendosmërinë e mirë
Për këtë ne gjithnjë po lutemi për ju, që Perëndia ynë t’ju quajë të denjë për këtë thirrje dhe të përmbushë çdo pëlqim të mirësisë së tij, edhe veprën e besimit me fuqi. (2 e Thesalonikasve 1:11)
Kur Pali thotë se Perëndia i përmbush vendosmëritë tona të mira me fuqinë e tij përmes besimit (ai i quan veprimet tona “vepra të besimit”), ai po thotë se mposhtim mëkatin dhe bëjmë atë që është e drejtë përmes besimit, pra, duke qenë të kënaqur me gjithë sa Perëndia premton të jetë për ne në Krishtin gjatë pesë minutave në vazhdim, pesë muajve në vazhdim, pesë dekadave e deri në përjetësi.
Ja tre shembuj se si mund të duket kjo në jetën tënde:
- Nëse në zemrën tënde vendos që të japësh me bujari dhe sakrificë, fuqia e Perëndisë për ta përmbushur këtë vendosmëri do të vijë tek ti, ndërsa i beson hirit të Tij të ardhshëm në premtimin: “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:19). Beso gjithashtu premtimin: “Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell me bujari edhe do të korrë me bujari” (2 e Korintasve 9:6). Edhe premtimin: “Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë ndaj jush, që të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë dhe t’ju teprojë për çfarëdo vepër të mirë” (2 e Korintasve 9:8).
- Nëse në zemrën tënde vendos që të heqësh dorë nga pornografia, fuqia e Perëndisë për ta përmbushur këtë vendosmëri do të vijë tek ti, ndërsa i beson hirit të Tij të ardhshëm në premtimin: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë” (Mateu 5:8). “Është më mirë për ty që të humbasësh një nga gjymtyrët e tua, sesa të hidhet në ferr gjithë trupi yt” (Mateu 5:29). Shumë më mirë. Mrekullisht më e mirë! Jashtëzakonisht më e mirë dhe më e kënaqshme.
- Dhe nëse vendos në zemër që të flasësh për Krishtin kur të të vijë mundësia, fuqia e Perëndisë për ta përmbushur këtë vendosmëri do të vijë tek ti, ndërsa i beson hirit të Tij të ardhshëm në premtimin: “Mos u shqetësoni si ose çfarë të flisni; sepse në atë orë do t’ju jepet çfarë duhet të thoni” (Mateu 10:19).
Perëndia na e shtoftë besimin tonë të përditshëm në premtimet e çmuara të Perëndisë–në premtimet e hirit të Tij të ardhshëm, të pashtershëm e të blerë me gjakun e Krishtit, dhe që e lartëson Krishtin.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione