Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 227 NGA 366

Perëndia fal dhe ende është i drejtë

Profeti Nathan erdhi te Davidi pasi ai kishte kryer kurorëshkelje dhe vrasje, dhe i tha: “ZOTI e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur. Megjithatë, duke qenë se me këto veprime u ke dhënë rastin armiqve të ZOTIT të blasfemojnë, djali që ka lindur duhet të vdesë.” (2 i Samuelit 12:13-14)

Kjo është skandaloze! Uriahu ka vdekur. Bathsheba është përdhunuar. Foshnja do të vdesë. Dhe Nathani thotë: “ZOTI e ka falur mëkatin tënd.”

Si është e mundur? Davidi kreu tradhti bashkëshortore. Ai urdhëroi që të vritej dikush. Ai gënjeu. Pra, Davidi “përçmoi fjalën e ZOTIT” (2 i Samuelit 12:9). Ai përçmoi Perëndinë. Dhe Zoti thjesht ia hoqi mëkatin?!

Çfarë lloj Gjykatësi i drejtë është Perëndia? Nuk mund ta anashkalosh përdhunimin, vrasjen dhe gënjeshtrën. Gjykatësit e drejtë nuk e bëjnë këtë gjë.

Ky është një nga problemet më të mëdha teologjike të Palit–një problem shumë i ndryshëm nga ato me të cilat përleshen njerëzit sot: si mund ta falë Perëndia mëkatin dhe ende të jetë i drejtë? Ja se çfarë thotë Pali te Romakëve 3:25-26:

Të cilin [Krishtin] e paraqiti Perëndia si pajtimore nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe drejtësues i atij që beson në Jezusin.

Me fjalë të tjera, tërbimi që ne ndiejmë kur duket sikur Perëndia thjesht nuk e vë re mëkatin e Davidit, do të ishte i mirë nëse Perëndia thjesht do ta mbulonte mëkatin e Davidit. Ai nuk po bën këtë.

Nga koha e Davidit, Perëndia sheh përmes shekujve drejt vdekjes së Birit të Tij, Jezu Krishtit, i cili do të vdiste në vend të Davidit. Prandaj besimi i Davidit në mëshirën e Perëndisë dhe në veprën e ardhshme shpenguese e bashkon atë me Krishtin. Në mendjen e gjithëdijshme të Perëndisë, mëkatet e Davidit janë numëruar si mëkatet e Krishtit dhe drejtësia e Krishtit është numëruar si drejtësia e tij, prandaj me të drejtë Perëndia nuk e llogarit mëkatin e Davidit për hir të Krishtit.

Vdekja e Birit të Perëndisë është mjaft mizore dhe lavdia e Perëndisë që lartësohet prej saj, është aq e madhe, saqë Perëndia tregohet i drejtë kur nuk e llogarit kurorëshkeljen, vrasjen dhe gënjeshtrën e Davidit. Ai tregohet i drejtë, edhe kur nuk e llogarit mëkatin tonë.

Prandaj, Perëndia e ruan drejtësinë dhe të drejtën e Tij të përsosur, ndërkohë që u tregon mëshirë atyre që kanë besim në Jezusin, pavarësisht sa të shumtë apo të tmerrshëm janë mëkatet e tyre. Ky është një lajm i mirë dhe i papërshkrueshëm.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​