Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

B.E.K.O.J.Shembull

B.E.K.O.J.

DITA 6 NGA 6

Çdo shkronjë e akronimit B.E.K.O.J. na ka ndihmuar të zbulojmë misionin tonë: të jemi bekim për të tjerët. Tani, për të përfunduar këtë rrugëtim, misioni ynë është të tregojmë historinë e jetës tonë me Jezusin – si Ai na ka ndryshuar ne dhe se si na ka përdorur për të bekuar të tjerët.

J – Jetën me Krishtin Trego

Të tregosh historinë tënde kërkon guxim. Françesku i Asisit ka thënë: “Prediko Ungjillin çdo herë. Nëse është e nevojshme, përdor edhe fjalë.” Fjala kyçe këtu është “nëse”. Nuk është gjithmonë e lehtë të flasësh për dashurinë e Perëndisë, por jeta jote shpesh flet vetë më shumë sesa fjalët. Fjalët bëhen të nevojshme kur dikush sheh ndryshimin që Jezusi ka bërë në jetën tënde dhe dëshiron të dijë më shumë.

Një shembull nga Bibla është biseda mes Jezusit dhe Nikodemit (Gjoni 3). Nikodemi ishte një farise që donte të kuptonte më shumë për Jezusin, por vinte natën, duke iu shmangur syrit të të tjerëve. Jezusi i tregoi rëndësinë e një lindjeje të re nga Fryma për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë. Ai i tha se Perëndia e deshi botën aq shumë sa dha Birin e Tij, që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme (Gjoni 3:16).

Kjo histori na mëson disa gjëra për tregimin e historisë sonë:

  1. Fillo me jetën tënde para se të njihje Jezusin. Çfarë mungonte? Çfarë sfidash ke pasur?
  2. Trego si dëgjove për Jezusin. Kush ishte pjesë e udhëtimit tënd shpirtëror?
  3. Trego ndryshimin që Ai ka bërë në jetën tënde. Si ka pastruar të shkuarën, i ka dhënë kuptim së sotmes dhe siguri të ardhmes?

Të tregosh historinë tënde nuk do të thotë të bëhesh një orator i madh. Fjalët shpesh vijnë pas veprave të vogla: lutje, dëgjim i të tjerëve, ndarja e një kafeje, ose shërbimi ndaj dikujt në nevojë. Ndërkohë, ata që e shohin jetën tënde të ndryshuar do të pyesin: “Çfarë ke ti që është ndryshe?” Atëherë fjalët e tua bëhen mjet për të sjellë dikë më pranë Perëndisë.

Bibla na kujton: "Shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t'u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje," (1 Pjetrit 3:15 ALBB).
Kjo do të thotë të jesh gati për t’i treguar dikujt për Jezusin çdo ditë, duke filluar nga ata që ke pranë: familja, miqtë, shokët e punës ose komuniteti.

Përfundimisht, J – Jetën me Krishtin Trego është shprehja e misionit tonë: duke treguar, veçanërisht përmes jetës dhe përvojës sonë, se dashuria e Jezusit mund të ndryshojë gjithçka. Kur ti tregon historinë tënde, ti mund të bëhesh instrument për të bekuar dikë që nuk ka pasur mundësi të njohë Perëndinë ndryshe.

Lutje: "Zot i dashur, më ndihmo të jem një dëshmi e gjallë e dashurisë Tënde. Më jep guximin të tregoj historinë time, të shpreh ndryshimin që Jezu Krishti ka bërë në jetën time, dhe të jem bekim për ata që kam pranë. Ndihmo që fjalët dhe veprat e mia të sjellin njerëzit më pranë Teje. Amen."

Rreth këtij plani

B.E.K.O.J.

A ke dëshirë të zbulosh misionin tënd dhe të bëhesh bekim për të tjerët? Plani B.E.K.O.J. të udhëzon hap pas hapi për të vepruar me qëllim dhe ndikim në jetën e njerëzve rreth teje. Çdo ditë të ofron mundësi për të parë ndryshimin që mund të sjellësh. Lexo planin dhe shiko se si jeta jote dhe e të tjerëve mund të transformohen.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al

Plane të ngjashme