B.E.K.O.J.Shembull

Në një botë me ritme të çmendura dhe plot shpërqendrime, është e lehtë të humbasësh drejtimin. Por le të ndalemi një moment. Nëse do të kishe një çelës për të kuptuar misionin tënd, a do ta përdorje? Bibla na tregon se ky çelës është më i thjeshtë nga sa mendojmë… por jo më pak i fuqishëm: lutja.
Kur Jezusi nisi shërbesën e Tij, Ai nuk u hodh menjëherë në veprim. Ai filloi me lutje. Fryma e çoi në shkretëtirë. Aty, Ai agjëroi, u lut dhe u përgatit për misionin e Tij. Dhe kur erdhi momenti për të zgjedhur 12 njerëzit që do të ndanin këtë mision me Të, Ai nuk i zgjodhi thjesht sipas logjikës njerëzore. Luka 6:12-13 na tregon se Ai e kaloi tërë natën në lutje përpara se të merrte këtë vendim kaq të rëndësishëm.
Lutja është gjithmonë hapi i parë.
B = Bjer në gjunjët e lutjes
Kjo është praktika e parë e akronimit B.E.K.O.J. – pesë zakone të thjeshta, por të fuqishme, për të jetuar misionin e Jezusit. Dhe gjithçka fillon këtu: me lutje.
Pse është kjo kaq e rëndësishme për ty?
Sepse ti je thirrur të jesh pjesë e misionit të Perëndisë për të bekuar botën. Dhe misioni yt fillon me një praktikë të thjeshtë: të biesh në gjunjët e lutjes. Jo thjesht për të bërë një listë kërkesash, por për të kërkuar drejtimin e Perëndisë, për të dëgjuar zërin e Tij, për të ndier rrahjet e zemrës së Tij për botën.
Në Bibël, Perëndia përdori njerëz të zakonshëm për të kryer gjëra të jashtëzakonshme – peshkatarë, taksambledhës, madje edhe rebelë politikë.
Sot, Perëndia po të thërret edhe ty. Por për të zbuluar misionin e Tij për ty, duhet të fillosh si Jezusi: në lutje. Nuk ka nevojë për fjalë të mëdha. Mjafton një zemër e hapur që thotë: “Zot, më trego ku dhe si të të ndjek.”
Zanafilla 12:2-3 (ALBB) “Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. … te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës.”
Bekimet që ke marrë nuk janë vetëm për ty – ato janë pjesë e strategjisë së Perëndisë për të bekuar të tjerët përmes teje. Por për ta zbuluar këtë strategji… duhet të fillosh me lutje.
Lutje: “Zot, më ndihmo të ndaloj dhe të bie në gjunjët e lutjes. Ashtu si Jezusi filloi misionin e Tij me lutje, dua edhe unë të nis çdo ditë me Ty. Më fol, më drejto dhe më trego cilët janë ata njerëz që Ti dëshiron të bekosh përmes meje. Unë jam gati të dëgjoj. Në emër të Jezusit, amen.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

A ke dëshirë të zbulosh misionin tënd dhe të bëhesh bekim për të tjerët? Plani B.E.K.O.J. të udhëzon hap pas hapi për të vepruar me qëllim dhe ndikim në jetën e njerëzve rreth teje. Çdo ditë të ofron mundësi për të parë ndryshimin që mund të sjellësh. Lexo planin dhe shiko se si jeta jote dhe e të tjerëve mund të transformohen.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al
