B.E.K.O.J.Shembull

A të duket ndonjëherë jeta si një rutinë që të merr frymën? Zgjohesh, bën të njëjtat gjëra, pa pasion, pa emocion, pa qëllim. Dhe brenda teje lind pyetja: “A ka diçka më shumë për mua? A ka një mision që unë duhet të përmbush?”
Bibla na kujton se Perëndia nuk na ka krijuar për të jetuar thjesht në rutinë. Ai ka vendosur brenda teje një ëndërr, një synim, një thirrje unike. Jezusi e dinte misionin e Tij. Kur Gjoni shkruan për Jezusin: “Por DUHEJ të kalonte nëpër Samari” (Gjoni 4:4 ALBB), nuk ishte thjesht çështje rruge. Ishte një zgjedhje misioni. Ai shkoi atje sepse kishte dikë për të takuar, një jetë për të restauruar.
Gruaja samaritane nuk ishte e pranuar nga komuniteti i saj. Jetonte me turp dhe shmangte njerëzit. Por Jezusi shkoi drejt e te ajo. Jo për ta gjykuar, por për t’i ofruar dashuri dhe dinjitet. Dhe ai takim i ndryshoi jetën. Ajo e la enën e ujit dhe u kthye në qytetin e saj, duke thënë: ''Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?''. (Gjoni 4:29 ALBB).
Nga kjo histori kuptojmë diçka shumë të fortë: Jezusi nuk ecte rastësisht, Ai e dinte mirë pse ishte aty – kishte një mision. Dhe ky mision nuk është vetëm i Tij, por edhe i yni sot. Kur zemra jote kap atë që “duhet” bërë, nuk mund të rrish më në vend. Thjesht thua: “Po, kjo është për mua” – dhe hedh hapin.
Edhe ti ke një mision. Mund të jetë në lagjen tënde, në punë, në shkollë, apo në një kauzë që të djeg në zemër. Perëndia do të të përdorë për të sjellë dashuri, dritë dhe bekim aty ku je. Si Hëna që reflekton dritën e Diellit, edhe ne reflektojmë dashurinë e Perëndisë tek të tjerët.
Ky është qëllimi i planit B.E.K.O.J.– një udhëtim 6-ditor për të zbuluar se si mund të jesh bekim për të tjerët, ashtu siç Jezusi është për ty.
Zanafilla 12:3 (ALBB) “Unë do të bekoj … te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës.”
Perëndia ka vendosur që bekimi të kalojë nëpërmjet teje. Misioni fillon me një zgjedhje: t'i thuash “Po” thirrjes së Tij. Dhe ndoshta sot është dita jote për të thënë: “Unë duhet të bëj diçka. Nuk mund të rri më.”
Lutje: “Zot, faleminderit që më ke thirrur. Ashtu si Jezusi kishte një mision të qartë, dua edhe unë të kuptoj misionin që Ti ke për jetën time. Ndihmomë të mos ngelem në rutinë, por të reflektoj dashurinë Tënde tek njerëzit përreth meje. Dua të jem një bekim për të tjerët. Në emër të Jezusit, amen.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

A ke dëshirë të zbulosh misionin tënd dhe të bëhesh bekim për të tjerët? Plani B.E.K.O.J. të udhëzon hap pas hapi për të vepruar me qëllim dhe ndikim në jetën e njerëzve rreth teje. Çdo ditë të ofron mundësi për të parë ndryshimin që mund të sjellësh. Lexo planin dhe shiko se si jeta jote dhe e të tjerëve mund të transformohen.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al
