Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

B.E.K.O.J.Shembull

B.E.K.O.J.

DITA 4 NGA 6

Në këtë udhëtim gjashtë-ditor me akronimin B.E.K.O.J., jemi duke parë hapa të thjeshtë që na ndihmojnë të kuptojmë dhe të jetojmë misionin që Jezusi ka për secilin prej nesh: të jemi bekim për të tjerët. Sot ndalemi tek shkronja K – Konsumojmë kafe / vakte bashkë. Në dukje është diçka shumë e zakonshme, por Jezusi na mëson se edhe gjërat e thjeshta mund të bëhen mjete të fuqishme për të sjellë dashurinë e Perëndisë.

Në ungjijtë shohim shpesh Jezusin ulur në tryezë me njerëzit. Një shembull i fuqishëm është tek Mateu 9, ku Ai hyn në shtëpinë e Mateut, një taksambledhës i përbuzur, dhe ha bashkë me të e me shokët e tij. Për shoqërinë fetare të asaj kohe, ky ishte një skandal i madh. Por Jezusi e përdori tryezën si mjet për të ndërtuar marrëdhënie, për të treguar vlerësim dhe për të hapur zemrat e njerëzve ndaj Perëndisë.

Të hash ose të pish diçka bashkë nuk është thjesht plotësim i një nevoje fizike. Në kulturën e kohës së Jezusit, kjo ishte shenjë afërsie dhe respekti. Edhe sot, një kafe e përbashkët mund të kthehet në urë miqësie, një hap drejt besimit dhe një vend ku hapen zemrat. Njerëzit janë më të lirshëm për të folur kur ndajnë një tryezë. Shpesh, një flixhan kafe shoqërohet me biseda që nuk do të ndodhnin ndryshe.

Mbase mendon: “Nuk kam kohë, mezi ha me familjen time.” Apo “Nuk jam i zoti të hap biseda shpirtërore.” Ose “Nuk kam vend në shtëpi apo ushqim të bollshëm për të ftuar dikë.” Por nuk është puna tek perfeksioni. Jezusi nuk i ftoi njerëzit në një banket të pasur; Ai thjesht u ul aty ku ishin ata. Shumë herë, gjërat më të zakonshme janë ato që Zoti përdor për të bërë diçka të jashtëzakonshme.

Mendo me kë mund të ulesh këtë javë për një kafe ose një vakt. Mund të jetë një koleg, një fqinj, një mik i vjetër, ose dikush që nuk është pjesë e kishës. Ftesa jote mund të duket e thjeshtë, por mund të hapë një derë të re në zemrën e tij. Shumë njerëz rreth nesh kanë nevojë për dashurinë dhe shpresën që vetëm Ai sjell – dhe shpesh rruga fillon me një kafe të thjeshtë.

Lutje: "Zot, faleminderit që edhe përmes gjërave më të thjeshta si një kafe ose një vakt, Ti mund të përdorësh jetën time për të sjellë dritë dhe shpresë. Më jep sy për të parë kë kam përreth dhe zemër për ta ftuar me dashuri. Bëj që tryeza ime të kthehet në vend bekimi dhe afrimi. Amen."

Rreth këtij plani

B.E.K.O.J.

A ke dëshirë të zbulosh misionin tënd dhe të bëhesh bekim për të tjerët? Plani B.E.K.O.J. të udhëzon hap pas hapi për të vepruar me qëllim dhe ndikim në jetën e njerëzve rreth teje. Çdo ditë të ofron mundësi për të parë ndryshimin që mund të sjellësh. Lexo planin dhe shiko se si jeta jote dhe e të tjerëve mund të transformohen.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al

Plane të ngjashme