Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

B.E.K.O.J.Shembull

B.E.K.O.J.

DITA 3 NGA 6

Pas hapit të parë –Bjer në gjunjët e lutjes– vjen hapi i dytë:

E – E Dëgjoj Tjetrin

Misioni nuk mbaron vetëm me lutje; ai vazhdon me zemër dhe veshë të hapur për të dëgjuar njerëzit që Perëndia ka vendosur pranë nesh. Bekimi që Zoti na jep nuk është thjesht për ne, por përmes nesh Ai synon të arrijë tek të tjerët (Zanafilla 12:2-3). Dhe kjo shpesh fillon me një gjë shumë të thjeshtë, por të fuqishme: të dëgjojmë.

Jezusi na dha një shembull të fuqishëm. Tek Luka 18, ndërsa ishte rrugës për në Jeruzalem mes një turme të madhe, një i verbër filloi të thërriste: “O Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Njerëzit donin ta heshtnin, por Jezusi ndaloi. Ai e dëgjoi. Dhe para se ta shëronte, Ai i bëri një pyetje të thjeshtë, por të thellë: “Çfarë dëshiron të bëj për ty?”

A nuk është e çuditshme? Jezusi e dinte çfarë i mungonte këtij burri. Por Ai nuk e mori të mirëqenë. Ai zgjodhi ta dëgjojë.

Ky është mësimi për ne: në vend që të hamendësojmë nevojat e njerëzve, le t’i dëgjojmë. Të bëjmë pyetje. Të marrim kohë për të kuptuar ku gjenden, çfarë i gëzon, çfarë i lëndon, çfarë po përjetojnë. Njerëzit rreth nesh janë të etur që dikush t’i dëgjojë me kujdes, jo vetëm t’u përgjigjet.

Shpesh, ne dëgjojmë vetëm për të pasur një përgjigje gati. Por të dëgjosh si Jezusi do të thotë të ndalesh, të jesh i pranishëm dhe të vlerësosh zemrën e tjetrit. Sepse kur e dëgjon dikë, ti nuk merr thjesht informacion – ti i tregon atij personi se ka vlerë.

Mbase kjo fillon nga shtëpia jote: duke dëgjuar partnerin, fëmijët, prindërit. Ose tek puna e shkolla, duke i kushtuar vëmendje dikujt që ndoshta askush nuk e merr seriozisht. Ose tek lagjja, duke vënë re se cilat janë sfidat dhe nevojat e komunitetit ku jeton.

Jezusi dëgjoi një zë në mes të një turme të madhe. Edhe ti, në mes të zhurmës së kësaj bote, mund të dëgjosh dikë që ka nevojë për shpresë. Dhe duke e dëgjuar, ti hap një derë që Perëndia të veprojë përmes teje.

Lutje: “Zot, më ndihmo të mos jem i shpejtë për të folur, por për të dëgjuar. Ashtu si Jezusi u ndal për të dëgjuar të verbërin, më mëso të ndalem dhe të dëgjoj njerëzit që ke vendosur rreth meje. Më mëso t'i dëgjoj për të kuptuar se çfarë kanë nevojë, që unë të mund të jem një bekim për ta. Në emër të Jezusit, amen.”

Rreth këtij plani

B.E.K.O.J.

A ke dëshirë të zbulosh misionin tënd dhe të bëhesh bekim për të tjerët? Plani B.E.K.O.J. të udhëzon hap pas hapi për të vepruar me qëllim dhe ndikim në jetën e njerëzve rreth teje. Çdo ditë të ofron mundësi për të parë ndryshimin që mund të sjellësh. Lexo planin dhe shiko se si jeta jote dhe e të tjerëve mund të transformohen.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: icf.al

Plane të ngjashme