Solid Joys ShqipShembull

Kalvari nuk anashkalohet
Kështu, ndërsa ishin atje, asaj iu mbushën ditët për të lindur. Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta. (Luka 2:6-7)
Ndoshta mendon se, nëse Perëndia e sundon botën në atë mënyrë sa të përdorë numërimin e popullsisë të një perandorie për ta çuar Marinë dhe Jozefin në Bethlehem, sigurisht që Ai mund t’u siguronte një dhomë në han.
Patjetër që mund ta bënte! Pa diskutim që Ai mund ta bënte! Jezusi mund të kishte lindur në një familje të pasur dhe mund t’i kishte kthyer gurët në bukë në shkretëtirë. Ai mund të kishte thirrur dhjetë mijë engjëj që t’i vinin në ndihmë në Gjetsemani. Jezusi mund të kishte zbritur nga kryqi dhe ta kishte shpëtuar veten, ndaj pyetja s’është çfarë mund të bënte Perëndia, por çfarë vendosi të bënte.
Vullneti i Perëndisë ishte që, edhe pse Krishti ishte i pasur, për hirin tonë Ai u bë i varfër. Shenjat “S’kemi dhoma të lira!” te hyrjet e të gjitha haneve në Bethlehem ishin për hirin tuaj. “U bë i varfër për ju” (2 e Korintasve 8:9).
Perëndia sundon mbi të gjitha gjërat, edhe mbi kapacitetet e hoteleve dhe shtëpive me qira ditore, për hir të fëmijëve të Tij. Rruga e Kalvarit nis me shenjën “S’kemi dhoma të lira!” në Bethlehem, dhe përfundon me talljet dhe pështymat ndaj kryqit në Jerusalem.
Nuk duhet të harrojmë se Jezusi tha: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka 9:23).
Ne i bashkohemi Jezusit në rrugën e Kalvarit dhe e dëgjojmë tek na thotë: “Kujtoni fjalën që unë ju thashë: ‘Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti i tij’. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju” (Gjoni 15:20).
Atij që thërret me entuziazëm: “Zot, unë do të të ndjek kudo që të shkosh,” Jezusi i përgjigjet: “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole, kurse Biri i njeriut nuk ka ku të mbështesë kryet” (Luka 9:57-58).
Po, Perëndia mund të ishte kujdesur që Jezusi të kishte një dhomë për lindjen e Tij, por kjo do ta kishte anashkaluar Kalvarin.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione