Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 320 NGA 366

Fjalë për të luftuar

Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime. (Isaia 41:10)

Kur jam në ankth për ndonjë takim apo nismë të re që mbart rrezik, e luftoj mosbesimin me një nga premtimet që përdor më shpesh: Isaian 41:10.

Ditën që u largova nga Amerika, për të studiuar tre vjet në Gjermani, babai im më telefonoi nga New York-u dhe më dha premtimin e këtij vargu në telefon. Për tre vjet duhet t’ia kem cituar vetes me qindra herë që të kaloja përmes periudhave të jashtëzakonshme të stresit.

Kur mendja ime nuk po bluan ndonjë mendim, tingulli që dëgjohet, është ai i premtimit të Isaias 41:10. E dua këtë varg.

Sigurisht që kjo nuk është kama e vetme në arsenalin e besimit tim.

Kur jam i shqetësuar se shërbesa ime është e zbrazët dhe e padobishme, e luftoj mosbesimin me premtimin nga Isaia 55:11: “Kështu do të jetë fjala ime, që del nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.”

Kur jam i shqetësuar se jam tepër i dobët për ta bërë punën time, e luftoj mosbesimin me premtimin e Krishtit, që thotë: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 e Korintasve 12:9).

Kur jam i shqetësuar për vendimet që duhet të marr në lidhje me të ardhmen time, e luftoj mosbesimin me premtimin: “Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty” (Psalmi 32:8).

Kur jam i shqetësuar nga përballja me kundërshtarët, e luftoj mosbesimin me premtimin: “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakëve 8:31).

Kur jam i shqetësuar për mirëqenien e atyre që i dua, e luftoj mosbesimin me premtimin se, nëse unë, duke qenë nga natyra i lig, e di se si t’u jap gjëra të mira fëmijëve të mi: “aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia lypin atij” (Mateu 7:11).

Prandaj, bëni çmos që ta luftoni mosbesimin me çdo premtim në librin e Perëndisë. Por është e dobishme të keni një armë qendrore dhe të gatshme. Për mua kjo armë ka qenë Isaia 41:10: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.” Ky është një premtim jashtëzakonisht i çmuar!

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​