Solid Joys ShqipShembull

Mrekullia e krijimit
Por do të thotë ndonjë: “Si ringjallen të vdekurit, edhe me ç’trup do të vijnë?” O i pamend! Çfarë ti mbjell, nuk merr jetë, po nuk vdiq. Dhe çfarë ti mbjell, nuk mbjell trupin që do të bëhet, por një kokërr të zhveshur, ndoshta nga gruri ose ndonjë farë tjetër. Po Perëndia i jep trup si të dojë, secilës farë, trupin e vet. (1 e Korintasve 15:35-38)
Kam mbledhur disa gjëra nga Shkrimi, të cilat tregojnë përfshirjen personale të Perëndisë në krijim.
Për shembull, këtu te 1 e Korintasve 15:38, Pali krahason mënyrën se si një farë mbillet në një formë dhe rritet në një formë tjetër, me një “trup” të ndryshëm nga të tjerët. Ai thotë: “Perëndia i jep trup si të dojë, secilës farë, trupin e vet” (vargu nuk thotë secilit “lloj” fare një trup, por secilës farë trupin e vet!).
Kjo është një deklaratë e jashtëzakonshme e përfshirjes personale të Perëndisë në mënyrën se si Ai e projekton çdo farë që të japë bimën e saj të veçantë (jo vetëm speciet, por çdo farë individuale!).
Këtu Pali nuk po jep mësim për evolucionin, por po tregon se ai e merr për të mirëqenë përfshirjen personale të Perëndisë me krijimin. Është e qartë se Pali nuk mund ta përfytyrojë dot që ndonjë proces natyror të konceptohet pa pranuar faktin se Perëndia është ai që e kryen.
Sërish, Psalmi 94:9 thotë: “Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?” Psalmisti e merr për të mirëqenë se Perëndia ishte krijuesi i syrit dhe se Ai e projekti mënyrën se si veshi është vendosur në kokë për të kryer punën e vet të dëgjimit.
Prandaj, kur ne mahnitemi me mrekullitë e syrit njerëzor dhe me strukturën e jashtëzakonshme të veshit, nuk duhet të mrekullohemi me procesin e rastësisë, por me mendjen, me krijimtarinë dhe fuqinë e Perëndisë.
Në mënyrë të ngjashme, Psalmi 95:5 thotë: “I tiji është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.” Përfshirja e Perëndisë në krijimin e tokës dhe të detit është e tillë, saqë deti i tanishëm është i Tiji.
Ama kjo nuk do të thotë se në një mënyrë jopersonale Ai i vendosi të gjitha gjërat në lëvizje një miliardë vite më parë. Përkundrazi, Ai e zotëron të gjithën, sepse Ai e bëri. Krijimi është sot vepër e duarve të Tij dhe tregon shenjat e gishtave të Krijuesit të vet, ashtu si një vepër arti i përket atij që e pikturoi derisa ai ta shesë ose ta dhurojë.
Po i vë në dukje këto gjëra, jo për t’i zgjidhur të gjitha problemet që kanë të bëjnë me çështjen e origjinave, por për t’iu bërë thirrje të jeni plotësisht të vetëdijshëm për Perëndinë, plotësisht të mbushur me Perëndinë dhe ta lartësoni Atë plotësisht në të gjithë vëzhgimin dhe admirimin tuaj të mrekullive të botës.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione