Solid Joys ShqipShembull

Hiqi tej frikërat e tua
Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti. (Psalmi 56:3)
Një reagim i mundshëm ndaj së vërtetës që thotë se ankthi ynë është i rrënjosur në mosbesim, është ky: “Më duhet të merrem me ndjenjat e ankthit pothuajse çdo ditë; prandaj ndihem sikur besimi im në hirin e Perëndisë është krejtësisht i pamjaftueshëm. Prandaj vras mendjen nëse mund të kem ndonjë pikë sigurie që jam i shpëtuar.”
Përgjigjja ime ndaj këtij shqetësimi është: Supozo se je në një garë me makina dhe armiku yt, i cili nuk do që ta përfundosh garën, të hedh baltë në xhamin e parë të makinës. Fakti që nuk e shikon përkohësisht synimin tënd dhe nis të shkosh majtas-djathtas, nuk do të thotë se do ta lësh garën.
Dhe sigurisht që nuk do të thotë se je në pistën e gabuar. Përndryshe, konkurrenti, kundërshtari yt, nuk do të të bezdiste fare. Kjo do të thotë se duhet të vësh në punë fshirëset e xhamit.
Kur ankthi godet dhe na e turbullon pamjen e lavdisë së Perëndisë dhe të madhështisë së ardhshme që Ai planifikon për ne, nuk do të thotë se nuk kemi besim, apo që nuk do të arrijmë në qiell. Kjo do të thotë se besimi ynë po sulmohet.
Në goditjen e parë, besimi ynë në premtimet e Perëndisë mund të stepet dhe të lëkundet. Por të qëndruarit në pistë dhe arritja në vijën e finishit varet nëse ne, me anë të hirit, vëmë në lëvizje një proces rezistence–pra, varet nëse luftojmë kundër mosbesimit që vjen nga ankthi. A do t’i vëmë në punë fshirëset e xhamit?
Psalmi 56:3 thotë: “Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti.”
Vër re: psalmisti nuk thotë: “Unë nuk përleshem kurrë me frikën.” Frika godet dhe beteja nis. Prandaj Bibla nuk supozon se besimtarët e vërtetë nuk do të përjetojnë ankth. Përkundrazi, Bibla na thotë se si të luftojmë kur ankthet vijnë. Ajo na thotë se si të vëmë në punë fshirëset e xhamit.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione