Solid Joys ShqipShembull

Ne jemi shtëpia e Tij
Sepse Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia. Sepse çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai, që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia. Dhe Moisiu vërtet qe besnik në gjithë shtëpinë e tij si shërbëtor, për të qenë dëshmi për të gjitha gjërat që duheshin thënë, por Krishti si bir, mbi shtëpinë e tij; shtëpia e të cilit jemi ne, në mbajtshim fort, deri në fund, guximin dhe mburrjen e shpresës. (Hebrenjve 3:3-6)
Njerëzit që mburren dhe shpresojnë në Jezu Krishtin, janë shtëpia e Perëndisë. Kjo do të thotë se Jezusi është Krijuesi ynë, Zotëruesi, Sunduesi dhe Siguruesi ynë pikërisht sot, jo vetëm në kohën e Moisiut ose në kohën e Tij mbi tokë.
Jezusi quhet “ndërtuesi” i kësaj shtëpie. Moisiu nuk ishte ndërtuesi. Ai ishte pjesë e shtëpisë. Prandaj thuhet: “Sepse Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia.” Prandaj, Moisiu, pavarësisht se ishte i madh në udhëheqjen e shtëpisë dhe për faktin se i dha shtëpisë fjalën e Perëndisë, ai ende ishte thjesht një pjesë e shtëpisë, të cilën Jezusi e ndërtoi.
Prandaj, nëse mburremi në Jezusin dhe shpresojmë në Të, ne jemi shtëpia e Tij, dhe Jezusi është Ndërtuesi ynë, Zotëruesi, Sunduesi dhe Siguruesi ynë. Ai nuk lejon që shtëpia e Tij të shkatërrohet ose të rrënohet.
Më pas shkrimtari e ndryshon imazhin–nga ndërtuesi dhe shtëpia, në bir dhe shërbëtor. “Dhe Moisiu vërtet qe besnik në gjithë shtëpinë e tij si shërbëtor... por Krishti si bir, mbi shtëpinë e tij.” Pra, Krishti u bë pjesë e shtëpisë–pjesë e familjes–që Ai ndërtoi. Por edhe kështu, nderi i Tij është shumë më i lartë se ai i Moisiut. Moisiu ishte një shërbëtor. Krishti është Biri. Ai është trashëgimtari.
Dhe ne jemi pjesë e kësaj shtëpie. Hebrenjve 3:6 thotë: “Shtëpia e të cilit jemi ne, në mbajtshim fort, deri në fund, guximin dhe mburrjen e shpresës.” Sigurisht, le ta respektojmë Moisiun dhe t’i japim atë që i takon, por ideja kryesore e librit të Hebrenjve është kjo: Krishti është më i madh. Ai është më i madh në çdo aspekt. Ai është ndërtuesi i shtëpisë së popullit të Perëndisë. Krishti është Biri në shtëpinë e popullit të Perëndisë. Le ta respektojmë Moisiun, por të adhurojmë Jezusin–Krijuesin dhe vëllain tonë.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione