Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 314 NGA 366


Të mrekullohesh në fund të historisë

Kurse juve, që shtrëngoheni, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të zbulohet nga qielli me engjëjt e fuqisë së tij, në flakë zjarri, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e forcës së tij, kur ai të vijë, atë ditë, të marrë lavdinë ndër shenjtorët e vet, dhe të admirohet ndër të gjithë ata që besojnë. (2 e Thesalonikasve 1:7-10)

Kur Jezusi të kthehet në këtë tokë, dhe Ai e ka premtuar se do ta bëjë, ata që nuk e kanë besuar ungjillin, Pali thotë se: “do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e forcës së tij.” Kjo është një tablo e tmerrshme, që duhet t’i tmerrojë të gjithë jobesimtarët që e dëgjojnë këtë të vërtetë.

Oh, sa shumë duhet të na kthjellojë kjo e vërtetë ne që besojmë, dhe të na mbushë me seriozitet për çfarë rrezikohet, ndërkohë që jemi në këtë botë. Oh sa shumë dhembshuri duhet të nxisë në zemrat tona për ata që nuk besojnë, apo që madje as nuk e dinë ungjillin.

Por për të na mbështetur në gjithë mundimin tonë, Pali na jep këtu dy fjalë të mahnitshme inkurajimi dhe shprese. “Kurse juve, që shtrëngoheni, [Perëndia do t’ju japë] të preheni bashkë me ne.” Nëse përjetojmë një përkeqësim të tmerrshëm të mundimit afër fundit të historisë, fjala e Perëndisë është: Mbahu fort: lehtësimi është rrugës. Mundimet e tua nuk do të thonë fjalën e fundit. Armiqtë e tu, në dukje të fuqishëm, do të pendohen për ditën që vunë dorë mbi popullin e Zotit.

Por pastaj vjen fjala më e mirë e inkurajimit dhe e shpresës. Jo vetëm që do të marrim lehtësim kur të vijë Zoti, por do të kemi përjetimin më të madh për të cilin u krijuam: Ne do të shohim lavdinë e Tij dhe do të mrekullohemi me Të, në atë mënyrë që Ai do të përlëvdohet në ne dhe gjithë bota do ta shohë këtë.

Vargu 10 thotë: “kur ai të vijë, atë ditë, të marrë lavdinë ndër shenjtorët e vet, dhe të admirohet ndër të gjithë ata që besojnë.” Ne u krijuam për t’u mrekulluar. Asgjë dhe askush nuk është më i mrekullueshëm sesa Jezu Krishti, Mbreti i lavdisë që u kryqëzua, u ringjall dhe që po kthehet sërish. Ai do ta arrijë synimin e lavdisë së Tij dhe ne do t’arrijmë synimin e gëzimit tonë kur të nisim të mrekullohemi përsosmërisht, pa mëkat dhe pafundësisht me mrekullinë më të madhe.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​