Solid Joys ShqipShembull

I falur për hir të Jezusit
Për hir të emrit tënd, o ZOT, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe. (Psalmi 25:11)
Për të ditur se çfarë është e drejtë, Perëndia nuk konsultohet me asnjë autoritet më të lartë se vetja e Tij. Denjësia e Tij është vlera më e lartë në gjithësi. Prandaj, që Perëndia bën atë çka është e drejtë, do të thotë se Ai vepron në atë mënyrë që të përputhet me këtë vlerë përfundimtare.
Drejtësia e Perëndisë është zelli, gëzimi dhe kënaqësia e pafundme, që Ai ka në atë që është pafundësisht e vlefshme, domethënë në denjësinë dhe përsosmërinë e Tij. Perëndia do të ishte i padrejtë nëse do të vepronte ndonjëherë në kundërshtim me këtë pasion të përjetshëm për përsosmëritë e Tij–Ai do të ishte idhujtar.
Si mundet një Perëndi i tillë i drejtë ta vendosë dashurinë e Tij mbi mëkatarë si ne, që kemi përçmuar përsosmëritë e Tij? Por mrekullia e ungjillit është që në drejtësinë e Tij hyjnore gjendet gjithashtu edhe themeli i shpëtimit tonë.
Konsiderata e pafundme që Ati ka për Birin, bën të mundur që unë, një mëkatar i lig, të duhem dhe të pranohem në Birin, sepse me vdekjen e vet Biri lartësoi vlerën e lavdisë së Atit të Tij.
Për shkak të Krishtit, ne mund ta bëjmë lutjen e psalmistit me një kuptim të ri: “Për hir të emrit tënd, o ZOT, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe” (Psalmi 25:11). Kuptimi i ri është që, për shkak të Krishtit, në vend që të lutemi thjesht: “Për hir të emrit tënd, fale paudhësinë time”, tani ne lutemi: “Për hir të emrit Jezus, o ZOT, fale paudhësinë time.”
Letra e parë e Gjonit 2:12 thotë: “Djema, ju shkruaj sepse mëkatet ju janë falur për shkak të emrit të tij”, duke iu referuar Jezusit. Tani Jezusi ka bërë shlyerjen për mëkatin dhe e ka lartësuar nderin e Atit, prandaj “mëkatet ju janë falur për shkak të emrit të tij”.
Perëndia është i drejtë. Ai nuk e fsheh mëkatin nën rrogoz. Nëse një mëkatar falet, dikush ka vdekur në vend të tij për të lartësuar vlerën e pafundme të lavdisë së Perëndisë, të cilën mëkatari e ka përçmuar. Pikërisht këtë bëri Krishti! Prandaj, “Për hir të emrit tënd, o ZOT” dhe “për hir të emrit të Krishtit” janë e njëjta gjë. Kjo është arsyeja pse lutemi me siguri për falje.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione