Solid Joys ShqipShembull

Si të rrënuar ashtu edhe të kënaqur
“ZOTI, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut.” (Ligji i Përtërirë 7:6)
Si do të tingëllonin doktrinat e hirit–një term puritan, ky, për mësimin kalvinist të hirit sovran të Perëndisë në shpëtimin tonë (anglisht me akronimin TULIP)–nëse çdo degë e asaj peme do të gjallërohej nga limfa e kënaqësisë agustiniane (domethënë, hedonizmi i krishterë)?
- Shthurja totale nuk është thjesht ligësi, por verbëri ndaj bukurisë së Perëndisë dhe pandjeshmëri ndaj gëzimit më të thellë.
- Zgjedhja e pakushtëzuar do të thotë që plotësia e gëzimit tonë në Jezusin u planifikua për ne para se të ekzistonim, si derdhja e bollshme e gëzimit të Perëndisë në bashkësinë e Trinitetit.
- Shlyerja e kufizuar është siguria që gëzimi i pashkatërrueshëm në Perëndinë është siguruar në mënyrë të pagabueshme për popullin e Tij nga gjaku i besëlidhjes së re.
- Hiri i parezistueshëm është përkushtimi dhe fuqia e dashurisë së Perëndisë për të garantuar që ne të mos mbahemi pas kënaqësive vetëvrasëse, dhe për të na çliruar me fuqinë sovrane të kënaqësive më të larta.
- Këmbëngulja e shenjtorëve është vepra e plotfuqishme e Perëndisë për të mos na lejuar që të biem pre e skllavërisë përfundimtare të kënaqësive inferiore, por që të na ruajë, përmes çdo mundimi dhe vuajtjeje, për një trashëgimi gëzimi të plotë në praninë e Tij dhe për kënaqësitë e përjetshme në të djathtën e Tij.
Nga këto të pesta, zgjedhja e pakushtëzuar i jep shpirtit tim gjykimin më të ashpër dhe njëkohësisht më të ëmbël. Fakti që është e pakushtëzuar, e shkatërron çdo vetëlartësim (kjo është pjesa e ashpër); dhe fakti që është zgjedhje, më bën mua zotërimin e Tij të çmuar (kjo është pjesa e ëmbël).
Kjo është një nga bukuritë e doktrinave të hirit në Bibël: rrënimet e tyre më të këqija na përgatisin për kënaqësitë e tyre më të mëdha.
Sa moralistë do të bëheshim me fjalët: “ZOTI, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut” (Ligji i Përtërirë 7:6), nëse kjo zgjedhje do të varej në ndonjë mënyrë nga ne? Por për të na mbrojtur nga krenaria, Zoti na mëson që ne jemi zgjedhur në mënyrë të pakushtëzuar (Ligji i Përtërirë 7:7-9), siç edhe këndojmë me gëzim: “Thesar të bëjë mjeranin.”
Vetëm liria rrënuese dhe natyra e pakushtëzuar e hirit zgjedhës–e pasuar nga të gjitha veprat e tjera të hirit shpëtues–na lejojnë që t’i marrim dhe t’i shijojmë dhurata të tilla për veten tonë pa e lartësuar veten.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione