Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 140 NGA 366

Çfarë e bën Jezusin të ngazëllojë

Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlleu në Frymë dhe tha: “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të mençurve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu ty.” (Luka 10:21)

Ky varg është njëri nga dy rastet në Ungjill ku thuhet se Jezusi ngazëlloi. Shtatëdhjetë dishepujt ishin kthyer nga turi i tyre i predikimit dhe ia raportuan suksesin Jezusit.

Vër re se të tre anëtarët e Trinisë po ngazëllojnë: Jezusi po ngazëllon, por thuhet se Ai po ngazëllon në Frymën e Shenjtë. Për mua kjo do të thotë se Fryma e Shenjtë po e mbush dhe po e motivon Atë që të ngazëllojë. Në fund të vargut, pastaj përshkruhet kënaqësia e Perëndisë Atë. “Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu ty”–e bëre këtë plot ngazëllim!

Tani, çfarë e bën gjithë Trininë që të ngazëllojë në këtë rast? Arsyeja është dashuria zgjedhëse dhe e lirë e Perëndisë për t’ia fshehur gjërat elitës intelektuale dhe për t’ua zbuluar foshnjave. “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të mençurve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël.”

Çfarë u fsheh Ati disave dhe ua zbulon të tjerëve? Luka 10:22 na e jep përgjigjen: “Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit.” Prandaj, ajo që Perëndia Atë duhet ta zbulojë është identiteti i vërtetë frymëror i Birit.

Kur të shtatëdhjetë dishepujt u kthyen nga misioni i tyre ungjillëzues dhe i raportuan Jezusit, Ai dhe Fryma e Shenjtë ngazëlluan që Perëndia Atë kishte zgjedhur, sipas pëlqimit të Tij–sipas ngazëllimit të Tij–që t’ua zbulonte Birin fëmijëve të vegjël dhe ta fshihte Atë nga të mençurit.

Thelbi i kësaj nuk është se Perëndia zgjedh vetëm disa klasa të caktuara njerëzish, por që Perëndia, për hirin e Tij, është i lirë të zgjedhë kandidatët që kanë më pak gjasa për t’u zgjedhur.

Perëndia shkon kundër asaj që mund të diktojë merita njerëzore. Ai u fshihet të mençurve të vetëmjaftueshëm dhe u zbulohet atyre që janë më të pafuqishmit dhe të paaftët.

Kur Jezusi e sheh Atin që në lirinë e Tij i ndriçon dhe i shpëton njerëzit, për të cilët shpresa e vetme është hiri i lirë, Ai ngazëllon në Frymën e Shenjtë dhe gjen kënaqësi në zgjedhjen e Atit të Tij.

Prandaj, kur ne e shohim këtë–pra, kur e dimë që jemi mes fëmijëve të zgjedhur–edhe ne i bashkohemi ngazëllimit.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​