Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 143 NGA 366

Jezusi i njeh delet e Tij

“Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, dhe unë i njoh.” (Gjoni 10:27)

Jezusi i njeh të tijtë. Çfarë kuptimi ka kjo?

Gjoni 10:3 është një varg paralel që lidhet ngushtë me Gjoni 10:27. Atje thuhet: “Delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë.”

Prandaj, kur Jezusi thotë: “Unë i njoh,” do të thotë se Ai i njeh ato me emër; domethënë, Ai i njeh thellë dhe individualisht. Ato nuk janë dele anonime mes tufës.

Gjoni 10:14-15 na siguron një ide tjetër: “Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh të miat dhe njihem nga të miat, ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin.”

Ekziston një ngjashmëri reale mes mënyrës se si Jezusi e njeh Atin e Tij në qiell dhe mënyrës se si Ai i njeh delet e Tij. Jezusi e sheh veten në Atin dhe Ai e sheh veten në dishepujt e Tij.

Në njëfarë mase Jezusi dallon karakterin e tij në dishepujt e tij. Ai dallon vulën e tij mbi delet. Kjo i bën ato të dashura për të.

Jezusi është si bashkëshorti që pret bashkëshorten e tij në aeroport dhe sheh çdo person që zbret nga avioni. Kur ajo shfaqet, ai e njeh, ia dallon tiparet. Ai sheh në sytë e saj reflektimin e lumtur të dashurisë së tij. Ai gjen kënaqësi tek ajo dhe ajo është e vetmja që ai e përqafon.

Apostulli Pal e tha kështu: “Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: ‘Zoti i njeh të vetët’” (2 e Timoteut 2:19).

Vështirë se e mbitheksojmë privilegjin e jashtëzakonshëm që të njihemi personalisht, me dashuri dhe thellë nga Biri i Perëndisë. Kjo është një dhuratë e çmuar për të gjitha delet e Tij, dhe brenda saj gjejmë ndjenjë, bashkësi të thellë dhe personale, si dhe premtimin e jetës së përjetshme.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​