Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 144 NGA 366

A ia vlen Krishti?

“Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren atin e vet dhe nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.” (Luka 14:26-27)

Jezusi nuk ka frikë dhe turp të na thotë që në fillim “më të keqen”—çmimi me dhimbje i të qenët i krishterë është: të urresh familjen (vargu 26), të mbash kryqin (vargu 27), të heqësh dorë nga zotërimet (vargu 33). Në besëlidhjen e hirit nuk ka asgjë të fshehur. Gjithçka është shkruar me shkronja të mëdha dhe të trasha. Nuk ka hir që nuk koston! Hiri është shumë i kushtueshëm! Eja dhe bëhu dishepulli im!

Kurse satani e fsheh më të keqen dhe na tregon vetëm më të mirën. Gjithçka që ka rëndësi në marrëveshjen me satanin është shkrimi me shkronja të vogla në faqen e pasme.

Në faqen e parë të marrëveshjes së tij është shkruar me shkronja të mëdha dhe të trasha: “Ju s’keni për të vdekur aspak” (Zanafilla 3:4) dhe “Të gjitha këto do të t’i jap nëse ti bie përmbys dhe më adhuron” (Mateu 4:9). Por në faqen e pasme, e shkruar me shkronja të vogla—të cilat janë aq të vogla saqë mund t’i lexosh vetëm me lupën e Biblës—thuhet: “Dhe pas kënaqësive kalimtare do të vuash bashkë me mua në ferr.”

Pse Jezusi është i gatshëm të na tregojë si “më të keqen” e Tij ashtu edhe më të mirën, kurse satani do të na tregojë vetëm më të mirën? Matthew Henry na e jep përgjigjen kështu: “Satani tregon më të mirën, por fsheh më të keqen, sepse më e mira e tij nuk do të [kompensojë] më të keqen e tij; por më e mira e Krishtit do të na kompensojë bollshëm.”

Thirrja e Jezusit nuk është vetëm një thirrje për vuajtje dhe vetmohim; së pari, ajo është një thirrje për një banket. Ky është thelbi i shëmbëlltyrës te Luka 14:16-24. Jezusi gjithashtu na premton një ringjallje të lavdishme ku do të shpërblehen të gjitha humbjet e kësaj jete (Luka 14:14). Ai gjithashtu na thotë se do të na ndihmojë t’i durojmë vështirësitë (Luka 22:32) dhe se Ati ynë do të na japë Frymën e Shenjtë (Luka 11:13). Jezusi na premton që edhe nëse na vrasin për mbretërinë, “as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do të humbasë” (Luka 21:18).

Kjo do të thotë se kur ulemi dhe e llogarisim çmimin e ndjekjes së Jezusit—kur llogarisim “më të keqen” dhe “më të mirën”—del se Ai ia vlen. Ia vlen tej mase (Romakëve 8:18; 2 e Korintasve 4:17)!

Nuk është kështu me satanin. “Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje” (Fjalët e Urta 20:17).

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​