Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 139 NGA 366

Drita përtej dritës

Në qoftë se, pra, u ringjallët me Krishtin, kërkoni ato gjëra që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend ato që janë lart, jo ato që janë mbi tokë. (Kolosianëve 3:1-2)

Jezu Krishti të gjallëron. Prandaj, kërko gjërat që janë sipër. Mos e zëvendëso Krishtin me vogëlsira këtë verë. Largimi nga Krishti drejt kënaqësive që nuk e kanë Krishtin, e than shpirtin.

Në fillim të duket se ke liri dhe argëtim kur lë mënjanë lutjen dhe shpërfill fjalën. Por pastaj vuan nga: cektësia, mungesa e fuqisë, cenueshmëria ndaj mëkatit, nga fiksimet për vogëlsira, nga marrëdhëniet sipërfaqësore dhe nga humbja e frikshme e interesit për adhurimin dhe për gjërat e Frymës.

Mos lejo që ardhja e verës ta tkurrë shpirtin tënd. Perëndia e bëri verën të jetë parashijim i qiellit, dhe jo një zëvendësim i tij.

Nëse postieri të sjell një letër dashurie nga e fejuara, mos bjer në dashuri me postierin. Mos bjer në dashuri me reklamat e kështu të mos jesh në gjendje ta duash realitetin që po vjen.

Jezu Krishti është qendra gjallëruese e verës. Ai ka përparësinë në gjithçka (Kolosianëve 1:18), përfshirë këtu dhe pushimet, piknikët, lojërat, shëtitjet e gjata dhe gatimin në natyrë. Ai na fton këtë verë me fjalët: “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh” (Mateu 11:28).

A e dëshirojmë këtë gjë? Kjo është pyetja. Krishti na e jep veten e Tij në masën që ne dëshirojmë rigjallërimin e Tij. “Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj” (Jeremia 29:13).

Fjalët që Pjetri na drejton në lidhje me këtë, janë: “Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja dhe që të vijë koha e flladit nga prania e Zotit” (Veprat 3:19-20). Pendimi nuk është vetëm largimi nga mëkati, por gjithashtu edhe kthimi drejt Zotit me zemra të hapura, të nënshtruara dhe në pritje.

Për cilën mendësi vere po flasim këtu? Për mendësinë e Kolosianëve 3:1-2: “Në qoftë se, pra, u ringjallët me Krishtin, kërkoni ato gjëra që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend ato që janë lart, jo ato që janë mbi tokë.”

Kjo është toka e Perëndisë! Ajo është një reklamë e realitetit se si do të jetë vera e përjetshme kur “qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji” (Zbulesa 21:23).

Dielli i verës është thjesht një tregues për diellin, që do të kemi: lavdinë e Perëndisë. Vera shërben për ta kërkuar dhe për ta treguar këtë. A dëshiron të kesh sy për të parë? Zot, na lër ta shohim dritën përtej dritës.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​