Solid Joys ShqipShembull

Dashuria më e lirë
“Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qiejt, qiejt e qiejve, toka dhe gjithçka ajo përmban; por Zoti u fali dashurinë e tij vetëm etërve të tu dhe i deshi ata; dhe pas tyre, midis tërë popujve, zgjodhi pasardhjen e tyre, domethënë ju, ashtu siç po ndodh sot.” (Ligji i Përtërirë 10:14-15)
Dashuria zgjedhëse e Perëndisë–dashuria përmes së cilës Ai zgjedh një popull për veten e Tij–është absolutisht e lirë. Kjo dashuri është derdhja e hirshme e lumturisë së Tij të pakufishme e drejtuar nga urtësia e Tij e pafundme.
Ligji i Përtërirë 10:14-15 përshkruan kënaqësinë që kishte Perëndia në zgjedhjen e Izraelit nga të gjithë popujt e dheut. Vër re dy gjëra:
Së pari, vër re kontrastin mes vargjeve 14 dhe 15. Pse Moisiu e përshkruan zgjedhjen e Izraelit në sfondin e faktit që Perëndia ka në zotërim tërë gjithësinë? Pse në vargun 14 ai thotë: “Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qiejt, qiejt e qiejve, toka dhe gjithçka ajo përmban” dhe pastaj në vargun 15 thotë: “por Zoti u fali dashurinë e tij vetëm etërve”?
Duket sikur arsyeja është që të heqë qafe çdo ide që Perëndia ishte disi i shtrënguar për të zgjedhur këtë popull—që ekzistonin disa kufizime për zgjedhjen e tij dhe që në njëfarë mënyre ai ishte i detyruar t’i zgjidhte. Ideja është që të heqë qafe idenë pagane se një perëndi mund të ketë të drejtën dhe autoritetin që të ketë popullin e tij, por jo më shumë se një.
E vërteta është që Jahveu është Perëndia i vetëm i vërtetë. Ai zotëron gjithçka në gjithësi dhe ka të drejtën dhe autoritetin që të marrë cilin popull të dojë, si zotërimin e Tij të veçantë.
Prandaj, për Izraelin, e vërteta e mrekullueshme që s’mund të përshkruhet dot është që Perëndia i zgjodhi ata. Ai nuk kishte pse ta bënte. Ai kishte të drejta dhe privilegje absolute për të zgjedhur çdo popull mbi faqen e dheut për qëllimet e Tij shpenguese. Mund t’i zgjidhte të gjithë, ose të mos zgjidhte asnjërin prej tyre.
Prandaj, kur Ai e quan veten “Perëndia i tyre” nuk po thotë që është njëlloj si perënditë e Egjiptit ose si perënditë e Kanaanit. Ai i ka në zotërim këta perëndi dhe popujt e tyre. Nëse do t’i kishte pëlqyer Perëndisë, mund të kishte zgjedhur një popull krej tjetër për t’i përmbushur qëllimet e Tij.
Ideja e vendosjes bashkë të vargjeve 14 dhe 15 kështu, është që të theksojë lirinë, të drejtat dhe autoritetin universal të Perëndisë.
Gjëja e dytë që duhet vënë re (në vargun 15) është mënyra se si Perëndia e ushtron lirinë e Tij sovrane për “t’i dashur etërit e tyre”. “Zoti u fali dashurinë e tij vetëm etërve të tu dhe i deshi ata.” Ai zgjodhi lirshëm që të kënaqej duke i dashur etërit.
Dashuria e Perëndisë për etërit e Izraelit ishte e lirë dhe e mëshirshme. Ajo nuk ishte e detyruar nga ndonjë gjë në identitetin jude të etërve dhe në virtytin e tyre.
Ky është një mësim për ne. Për ne që jemi besimtarë në Krishtin, Perëndia na ka zgjedhur po aq lirshëm. Jo për shkak të ndonjë gjëje te ne, por për shkak se Perëndisë thjesht i pëlqeu që ta bënte.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione