Solid Joys ShqipShembull

Çfarë është zemërbutësia?
“Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do të trashëgojnë tokën.” (Mateu 5:5)
Zemërbutësia fillon kur e vendosim besimin tonë në Perëndinë. Pastaj, për shkak të besimit tek Ai, ne ia besojmë udhët Perëndisë. Ne i hedhim mbi Të ankthet tona, zhgënjimet, planet, marrëdhëniet, punët dhe shëndetin tonë.
Pastaj presim me durim Zotin. Ne i besojmë kohës, fuqisë dhe hirit të Tij për t’i bërë gjërat të funksionojnë në mënyrën më të mirë për lavdinë e Tij dhe për të mirën tonë.
Rezultati i besimit te Perëndia, i hedhjes të anktheve tona mbi Të, e të priturit me durim për Të, është të mos i lësh vend zemërimit të shpejtë dhe plot shqetësim. Përkundrazi, i lëmë vend zemërimit të Tij, ia dorëzojmë kauzën tonë Perëndisë dhe e lëmë Atë që të na japë të drejtë, nëse Ai zgjedh ta bëjë.
Pastaj Jakobi thotë se në këtë siguri të palëkundur, ne jemi të ngadalshëm në të folur dhe të shpejtë në të dëgjuar (Jakobi 1:19). Ne bëhemi të arsyetueshëm dhe të hapur ndaj korrigjimit (Jakobi 3:17). Jakobi e quan këtë “zemërbutësi e urtësisë” (Jakobi 3:13).
Zemërbutësisë i pëlqen të mësojë. Ajo i llogarit për besnike plagët e një shoku (Fjalët e Urta 27:6). Edhe atëherë kur duhet t’ia thotë një fjalë kritikuese një personi të zënë në mëkat ose gabim, ajo flet e motivuar nga bindja e thellë për gabueshmërinë e vet, nga ndjeshmëria prej mëkatit dhe nga varësia e vet totale në hirin e Perëndisë (Galatasve 6:1).
Qetësia, gatishmëria dhe ndjeshmëria e zemërbutësisë është shumë e bukur dhe shumë e dhimbshme. Kjo shkon kundër gjithçkaje që jemi nga natyra jonë mëkatare dhe kërkon ndihmë të mbinatyrshme.
Nëse je dishepull i Jezu Krishtit–nëse i beson Atij, nëse ia beson udhën tënde dhe pret për Të me durim–Perëndia tashmë ka filluar të të ndihmojë dhe do të të ndihmojë edhe më tepër.
Mënyra parësore se si Ai do të të ndihmojë, është duke e siguruar zemrën tënde që ti je një bashkëtrashëgimtar i Jezu Krishtit, dhe që bota dhe gjithçka në të është e jotja (1 e Korintasve 3:21-23). Zemërbutët trashëgojnë tokën.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione