Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 134 NGA 366

Në themel të gjithçkaje

Në dashuri, duke na paracaktuar për birësim për veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet. (Efesianëve 1:4-5)

Përjetimi i Charles Spurgeon nuk është përtej aftësive të një të krishteri të zakonshëm.

Spurgeon, i cili jetoi nga viti 1834 deri në 1892-in, ishte bashkëkohës e mik i George Müller dhe Hudson Taylor. Ai i shërbeu “Tabernakullit Metropolitan” në Londër për më shumë se tridhjetë vjet, si pastori më i famshëm i kohës së vet.

Predikimi i tij ishte aq i fuqishëm saqë njerëzit ktheheshin te Krishti çdo javë. Predikimet e tij vazhdojnë ende të botohen edhe sot. Shumë njerëz e mbajnë si modeli i spikatur për dikë që fiton shpirtrat për Perëndinë.

Ai kujton një përjetim të tij kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, i cili i dha formë jetës dhe shërbesës së tij derisa ishte gjallë.

Kur po kthehesha te Krishti mendova se po e bëja gjithçka vetë. Mendova se po e kërkoja Zotin me zell, nuk e kisha idenë që Zoti po më kërkonte mua. Nuk mendoj që personi i sapokthyer në besim është i vetëdijshëm për këtë.

Më kujtohet pikërisht dita dhe ora kur për herë të parë i mora ato të vërteta [doktrinat e hirit sovran dhe ngadhënjyes] në shpirtin tim–kur, siç thotë edhe John Bunyan, ato u damkosën në zemrën time si me një hekur të nxehtë. Më kujtohet se si u ndjeva që isha rritur, krejt papritur, nga foshnjë isha bërë burrë–kisha përparuar në njohjen e Shkrimit, sepse kisha gjetur, një herë e përgjithmonë, çelësin për të vërtetën e Perëndisë.

Një fundjavë, kur rrija në shtëpinë e Perëndisë, nuk po mendoja shumë për mesazhin e predikuesit, sepse në fakt nuk e besoja.

Ky mendim më goditi: Si ndodhi që u bëre i krishterë? Kërkova Zotin. Por si ndodhi që e kërkove Zotin? E vërteta m’u shpalos përpara meje–nuk do ta kisha kërkuar Atë, nëse nuk do të kishte pasur ndonjë ndikim të mëparshëm në mendjen time që të më bënte ta kërkoja Atë. U luta, mendova, por pastaj pyeta veten: Si ndodhi që u luta? U shtyva që të lutesha përmes leximit të Shkrimeve. Si ndodhi që lexova Shkrimet? I lexova, por çfarë më shtyu që t’i lexoja ato?

Pastaj, në një çast të vetëm, dallova që Perëndia ishte në themel të gjithçkaje, që Ai ishte Autori i besimit tim dhe kështu m’u bë e qartë e gjithë doktrina e hirit, doktrinë nga e cila nuk jam larguar deri më sot, prandaj dëshiroj që ta bëj këtë si rrëfimin tim të vazhdueshëm: “Unë ia atribuoj ndryshimin tim tërësisht Perëndisë.”

Po ti? A ia atribuon kthimin tënd në besim plotësisht Perëndisë? A është Ai themeli i gjithçkaje? A të bën kjo që ta madhërosh lavdinë e hirit të Tij sovran dhe ngadhënjyes?

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​