Solid Joys ShqipShembull

Ulu në tryezë
Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti! (Psalmi 34:8)
Për ty që thua se nuk e ke shijuar kurrë lavdinë e Perëndisë, po të them se ke shijuar shumë nga mezet e Tij.
A e ke hedhur ndonjëherë vështrimin larg në qiell? A të kanë përqafuar ndonjëherë? A je ulur ndonjëherë para një zjarri të ngrohtë? A ke ecur ndonjëherë në pyll, a je ulur buzë një liqeni, a je rehatuar ndonjëherë në një lëkundës? A ke pirë ndonjëherë pijen tënde të parapëlqyer në një ditë të nxehtë vere apo ke ngrënë ndonjë gjë të shijshme?
Çdo dëshirë është ose një joshje e devotshme, ose e shtrembëruar për lavdinë e qiellit.
Ti thua që nuk e ke shijuar lavdinë e Perëndisë. Po të them ti ke shijuar mezet e Tij. Ulu në tryezë! Shko te vetë Perëndia!
Ti i ke parë hijet; shiko thelbin. Ti ke ecur nën rrezet e ngrohta të ditës; kthehu dhe shiko vetë diellin—po, përmes lentes mbrojtëse dhe qartësuese të ungjillit. Ti ke dëgjuar kudo jehonat e lavdisë së Perëndisë; harmonizoje zemrën me muzikën origjinale.
Vendi më i mirë ku mund ta harmonizosh zemrën është pranë kryqit të Jezu Krishtit. “Dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14).
Nëse dëshiron të shohësh shfaqjen më të përmbledhur të lavdisë së Perëndisë, shih Jezusin në Ungjill, shiko sidomos kryqin. Kjo do të t’i përqendrojë sytë, do të ta harmonizojë zemrën, do t’i rizgjojë shqisat e tua që ta shohësh, ta dëgjosh dhe ta shijosh kudo lavdinë e Perëndisë së vërtetë.
Për këtë u krijove. Po të përgjërohem: mos e hidh jetën tënde tej nëpër hije. Perëndia të bëri që ta shohësh dhe ta shijosh lavdinë e Tij. Ndiqe këtë gjë me gjithë zemrën tënde dhe mbi gjithçka tjetër. Tashmë i ke shijuar mezet. Tani shko dhe ulu në tryezën e banketit!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione