Ura për tek EsteriSample

Ester 2:8-9
Kur urdhri i mbretit dhe dekreti i tij u përhapën dhe shumë vajza u mblodhën në qytetin e Suzas nën mbikëqyrjen e Hegait, edhe Esterin e çuan në pallatin e mbretit nën mbikëqyrjen e Hegait, rojtarit të grave.
Vajza i pëlqeu dhe fitoi simpatinë e tij; kështu ai u shpejtua t’i japë melhemet për dëlirje dhe ushqimin e saj; i dha, gjithashtu, shtatë vajza të reja të zgjedhura në pallatin e mbretit dhe e zhvendosi bashkë me to në apartamentin më të mirë të shtëpisë së grave.
Perëndia në veprim
Këto vargje i lexuam në pasazhin e fundit, por le të marrim parasysh edhe disa gjëra të tjera. Këto vargje fillojnë me tregimin që mbreti i Persisë kishte bërë një ligj, i cili thoshte se shumë vajza duhet të rrëmbeheshin dhe të përgatiteshin për konkursin e përzgjedhjes së mbretëreshës së re.
Le të mendojmë sërish për Esterin. Ajo mbase po kalonte një ditë normale, kur papritmas e tërë jeta e saj ndryshoi. Rreth një vit më pas, ajo do të kurorëzohej si mbretëreshë e njërës prej mbretërive më të mëdha në botë. Mund të them që ky është një ndryshim i madh. Një vajzë jetime judease u kthye në një mbretëreshë persiane! A ishte thjesht “shansi” apo “fati” që e shkaktoi këtë ngritje në pozitë të pabesueshme për Esterin? Jo, nuk ishte. A mund ta dalloni dorën e Perëndisë pas këtyre ngjarjeve të mahnitshme? Perëndia punon për mirë në mes të gjërave të liga, ashtu sikurse edhe përmes gjërave të mira. Jam i sigurt që Perëndia nuk ishte i kënaqur me festat e liga të mbretit persian dhe mënyrën e paperëndishme të jetës së tij. Por prapëseprapë, Ai po vepronte në atë vend! Perëndia nuk punon vetëm përmes familjeve dhe kishave të mira të krishtera; Ai punon edhe përmes rregullave dhe vendimeve mëkatare. Perëndia është kudo. Dora e Tij është kudo. I gjithë ky konkurs persian bukurie nuk ishte aspak i pranueshëm për Perëndinë. Por Ai po vepronte përmes tij, duke i kthyer gjërat e liga në të mira.
Nuk e di se cila është situata e jetës suaj në këto momente. Mbase gjëra shumë të trishtueshme kanë ndodhur ose janë duke ndodhur, ndërsa lexoni këtë pasazh. Mund të jetë duke ndodhur një luftë në vendin tuaj. Mbase përmbytjet po shkatërrojnë qytetin tuaj. Mbase një krim e ka prekur familjen tuaj ose mbase të dashurit tuaj zihen shpesh me njëri-tjetrin. Por, kujtoni që Perëndia është duke vepruar në çdo gjë që po ju ndodh ose ju ka ndodhur. Jo gjithmonë e dimë se përse Ai i lejon disa gjëra. Esteri nuk e kishte as idenë më të vogël se po rrëmbehej nga shtëpia e saj, që të bëhej mbretëreshë e Persisë. Mendoni për njerëzit e tjerë në Bibël: mbase Jozefi ishte i habitur sepërse Perëndia lejoi që të shitej dhe që më vonë të hidhej në burg; Davidi nuk mund të kuptonte se përse Perëndia po e lejonte Saulin që të përpiqej ta vriste atë. Më vonë Esteri, Jozefi dhe Davidi mund të kthenin kokën pas dhe të kuptonin që tashmë ajo që u kishte ndodhur nuk ishte më një gjë e pakuptimtë. Ishte tërësisht një plan i mirëmenduar dhe i urtë, të cilin Perëndia po e realizonte hap pas hapi.
Perëndia nuk kërkon që ne “të përmirësojmë” planet e Tij ose t’i sugjerojmë ndryshime. Jo, në vend të kësaj, Perëndia ynë krijues na thërret t’i besojmë Atij edhe në ngjarjet më të errëta. Kjo është e vështirë, por jo e pamundur!
Besimi është dhuratë e Perëndisë dhe kur Perëndia na jep besim, ne mund t’i besojmë Atij edhe në mes të një stuhie. Leximi shtesë për sot është nga Jobi. Ndërsa lexoni në lidhje me atë që i ndodhi atij brenda një dite, vini re sa bukur e mbylli Jobi atë ditë. Ai e dinte që Perëndia po vepronte. Ai nuk e dinte se cila ishte arsyeja, se përse po e lejonte Perëndia këtë. Në një farë mënyre, ai nuk e zbuloi kurrë, e megjithatë mësoi t’i besonte Atij. Mbase Perëndia po ju mëson pikërisht këtë gjë edhe juve sot!
Scripture
About this Plan

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More