YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 301 OF 366


E mundur me Perëndinë

“Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i sjell edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim.” (Gjoni 10:16)

Perëndia ka një popull në çdo grup njerëzish në botë. Ai do t’i thërrasë ata përmes ungjillit me fuqinë e Krijuesit. Dhe ata do të besojnë! Çfarë fuqie që kanë këto fjalë për ta mposhtur dekurajimin në vendet e vështira të misioneve të largëta!

Historia e Peter Cameron Scott është një shembull i mirë. I lindur në Glasgou në vitin 1867, Scott u bë themeluesi i “Misionit Africa Inland”. Por fillimet e tij në Afrikë nuk ishin fare të suksesshme.

Udhëtimi i tij i parë në Afrikë përfundoi me një sulm të rëndë nga malaria, që e detyroi të kthehej në shtëpi. Ai vendosi të rikthehej pas rikuperimit të shëndetit të tij. Ky rikthim ishte veçanërisht i kënaqshëm për të, sepse kësaj here vëllai i tij, Xhoni, shkoi me të. Por nuk kaloi shumë kohë dhe Xhoni vdiq nga ethet.

Krejt vetëm, Peter e varrosi vëllain e tij në tokën afrikane, dhe në agoninë e atyre ditëve ia kushtoi sërish veten predikimit të ungjillit në Afrikë. Sidoqoftë shëndeti i tij u përkeqësua sërish dhe iu desh të kthehej në Angli.

Si do të dilte vallë nga shkretia dhe dëshpërimi i atyre ditëve? Ai i ishte betuar Perëndisë. Por ku mund ta gjente forcën për t’u kthyer në Afrikë? E pamundur për njeriun!

Ai gjeti forcë në Kishën Westminster. Atje ishte varri i David Livingstone. Scott hyri brenda me qetësi, e gjeti varrin dhe u gjunjëzua para tij për t’u lutur. Mbishkrimi lexon:

UNË KAM EDHE DELE TË TJERA QË NUK JANË TË KËSAJ VATHE; DUHET T’I SJELL EDHE ATO.

Ai u çua në këmbë me një shpresë të re. U kthye në Afrikë. Dhe sot, më shumë se njëqind vite më vonë, misioni që ai themeloi, është një forcë e gjallë dhe në rritje për ungjillin në Afrikë.

Nëse gëzimi yt më i madh është të përjetosh hirin e Perëndisë, që të mbush përbrenda dhe që derdhet nga ti për të mirën e të tjerëve, atëherë lajmi më i mirë në gjithë botën është që Perëndia do të bëjë të pamundurën përmes teje për të shpëtuar popujt e paarritur nga ungjilli.

Scripture