YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 306 OF 366


Vuajtjet e Krishtit në ne

Dhe tani gëzohem në vuajtjet e mia për ju dhe po e plotësoj në mishin tim atë që u mungon mundimeve të Krishtit për trupin e vet, që është kisha. (Kolosianëve 1:24)

Krishti ka përgatitur një ofertë dashurie duke vuajtur dhe duke vdekur për mëkatarët. Ky është një flijim i përsosur. Përmes këtij flijimi, Krishti paguan plotësisht për të gjitha mëkatet e popullit të Tij. Asgjë nuk mund të shtohet për ta bërë këtë një dhuratë më të mirë. Nuk i mungon asgjë–përveçse njërës, një prezantimi personal nga vetë Krishti para kombeve të botës.

Përgjigjja e Perëndisë për këtë mungesë është që t’u bëjë thirrje njerëzve të Krishtit (si Pali), që t’i paraqesin botës një prezantim personal të mundimeve të Krishtit. Duke e bërë këtë, ne “[plotësojmë] atë që u mungon mundimeve të Krishtit”. Ne arrijmë synimin për të cilin u planifikuan ato vuajtje, domethënë, një paraqitje personale para njerëzve që nuk e kanë idenë për vlerën e pafundme të atyre vuajtjeve.

Por gjëja më e mahnitshme e Kolosianëve 1:24 është mënyra si Pali e plotëson atë që u mungon mundimeve të Krishtit.

Ai thotë se vetë vuajtjet e tij plotësojnë mundimet e Krishtit. Atëherë kjo do të thotë se Pali i paraqet vuajtjet e Krishtit duke vuajtur vetë për ata që ai po përpiqet t’i fitojë për Krishtin. Në vuajtjet e tij, ata duhet të shohin vuajtjet e Krishtit.

Ja cili është përfundimi i mahnitshëm: Perëndia ka si synim që mundimet e Krishtit t’i paraqiten botës përmes mundimeve të popullit të Tij.

Perëndia ka me të vërtetë për qëllim që trupi i Krishtit, kisha, të përjetojë një pjesë të vuajtjes që Ai përjetoi, në mënyrë që kur të shpallim kryqin si stil jete, njerëzit t’i shohin shenjat e kryqit në ne dhe ta ndiejnë dashurinë e kryqit nga ne.