YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 283 OF 366

Mëshira e urtë e Perëndisë

Ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për judenjtë dhe marrëzi për grekët, kurse për ata që janë të thirrur, qofshin judenj ose grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe urtësia e Perëndisë. (1 e Korintasve 1:23-24)

Përballë lajmit të tmerrshëm që thotë se ne kemi rënë nën dënimin e Krijuesit tonë dhe nga karakteri i Tij i drejtë Ai është i detyruar ta ruajë vlerën e lavdisë së Tij duke derdhur zemërim të përjetshëm mbi mëkatin tonë, qëndron lajmi i mrekullueshëm i ungjillit.

Kjo është një e vërtetë që askush nuk mund ta mësojë dot nga natyra. E vërteta e ungjillit duhet t’u thuhet fqinjëve, të predikohet në kisha dhe të përhapet nga misionarët.

Lajmi i mirë është se vetë Perëndia ka dekretuar një udhë për t’i përmbushur kërkesat e drejtësisë së Tij, pa e dënuar të gjithë racën njerëzore.

Ferri është një mënyrë për t’i larë hesapet me mëkatarët dhe për ta lartësuar drejtësinë e Tij. Por ka edhe një mënyrë tjetër. Perëndia siguroi një mënyrë tjetër, që është ungjilli.

Urtësia e Perëndisë ka caktuar një mënyrë që dashuria e Perëndisë të na çlirojë nga zemërimi i Perëndisë pa e shkelur drejtësinë e Perëndisë. Ja pra, ky është ungjilli. Më lejo ta them sërish ngadalë: Urtësia e Perëndisë ka caktuar një mënyrë që dashuria e Perëndisë të na çlirojë nga zemërimi i Perëndisë pa e shkelur drejtësinë e Perëndisë.

Cila është kjo urtësi? Vdekja e Birit të Perëndisë për mëkatarët! “Ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar... fuqia e Perëndisë dhe urtësia e Perëndisë” (1 e Korintasve 1:23-24).

Vdekja e Krishtit është urtësia e Perëndisë, me anë të së cilës dashuria e Tij i shpëton mëkatarët nga zemërimi i Perëndisë, ndërkohë që e lartëson dhe e demonstron drejtësinë e Perëndisë në Krishtin.