YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 288 OF 366

Perëndia shëron duke përulur

“I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj, do ta udhëheq dhe do t’i jap përsëri ngushëllimet e mia atij dhe të tijve që janë të pikëlluar. Unë krijoj frytin e buzëve. Paqe, paqe atij që është larg dhe atij që është afër”, thotë ZOTI. “Unë do ta shëroj.” (Isaia 57:18-19)

Pavarësisht ashpërsisë që ka sëmundja e rebelimit dhe kokëfortësisë së njeriut, Perëndia do të sjellë shërim. Si do të shërojë Ai? Isaia 57:15 thotë se Perëndia banon me zemërthyerin dhe të përulurin. E megjithatë, njerëzit e Isaia 57:17 nuk janë të përulur. Ata po ndjekin rrugët e tyre me kokëfortësi krenare. Pra, si do të jetë shërimi?

Shërimi mund të jetë vetëm një gjë. Perëndia do t’i shërojë duke i përulur. Ai do ta kurojë pacientin duke ia thyer krenarinë. Nëse vetëm zemërthyerit dhe të përulurit e shijojnë bashkësinë e Perëndisë (Isaia 57:15), dhe nëse sëmundja e Izraelit është një rebelim krenar dhe kokëfortë (Isaia 57:17), dhe nëse Perëndia premton se do t’i shërojë ata (Isaia 57:18), atëherë shërimi i tij duhet të jetë përulës dhe kura e tij duhet të jetë një frymë e dërrmuar.

A nuk është kjo mënyra se si Isaia profetizoi atë që Jeremia e quajti besëlidhja e re dhe dhurata e një zemre të re? Ai tha: “Ja, do të vijnë ditët”, thotë ZOTI, “në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit... Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem ZOTI i tyre dhe ata do të jenë populli im” (Jeremia 31:31, 33).

Isaia dhe Jeremia shohin të dy se po vjen një kohë kur një popull i sëmurë, i pabindur dhe zemërngurtë do të ndryshohet në mënyrë të mbinatyrshme. Ezekieli e thotë kështu: “Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi” (Ezekieli 36:26).

Prandaj, shërimi për të cilin flet Isaia 57:18 është një transplant i jashtëzakonshëm zemre–zemra e vjetër, krenare dhe rebele prej guri nxirret jashtë, dhe brenda vendoset një zemër e re dhe e butë, e cila përulet dhe thyhet lehtë nga kujtimi i mëkatit dhe nga mëkati që është ende i pranishëm.

Kjo është një zemër në të cilën i Lartësuari, emri i të cilit është i Shenjti, do të banojë përgjithmonë.