YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 282 OF 366


E mira jonë është kënaqësia e Perëndisë

“Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t’u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin. Do të ndiej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t’i mbjell në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim.” (Jeremia 32:40-41)

Kërkimi i Perëndisë për t’u lavdëruar nga ne dhe kërkimi ynë për t’u kënaqur në Të, janë i njëjti kërkim. Kërkimi i Perëndisë për t’u përlëvduar dhe kërkimi ynë për t’u kënaqur e arrijnë synimin e tyre në këtë përjetim të vetëm: në kënaqësinë tonë në Perëndinë, gjë e cila vërshon në lavdërim.

Për Perëndinë, lavdërimi është jehona e ëmbël e përsosmërive të Tij, në zemrat e njerëzve të Tij.

Për ne, lavdërimi është kulmi i kënaqësisë që vjen nga të jetuarit në bashkësi me Perëndinë.

Rrjedhoja e mahnitshme e këtij zbulimi është që e gjithë energjia e gjithëpushtetshme, që e motivon zemrën e Perëndisë të kërkojë lavdinë e Tij, është gjithashtu ajo që e motivon të kënaqë zemrat e atyre që e kërkojnë gëzimin në Të.

Lajmi i mirë i Biblës është se Perëndia nuk ngurron aspak për t’i kënaqur zemrat e atyre që shpresojnë tek Ai. Përkundrazi: Çka mund të na bëjë të lumtur është ajo në të cilën Perëndia kënaqet me gjithë zemrën dhe me gjithë shpirtin e Tij. Këto janë fjalë të mahnitshme: “Do të ndiej gëzim duke u bërë të mirë... me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim” (Jeremia 32:41).

Me gjithë zemrën e Tij dhe me gjithë shpirtin e Tij, Perëndia bashkohet me ne në kërkimin tonë të gëzimit të përjetshëm, sepse shijimi i atij gëzimi, del për lavdinë e vlerës së Tij të pafundme.