YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 126 OF 366

Shtatë burimet e gëzimit

Jam jashtë mase i gëzuar në gjithë shtrëngimin tonë. (2 e Korintasve 7:4)

Është kaq e jashtëzakonshme që gëzimi i Palit është pabesueshmërisht i qëndrueshëm kur gjërat nuk ecnin mirë.

Nga erdhi ky gëzim?

Së pari, ky ishte mësimi i Jezusit: “Lum ju, kur njerëzit do t’ju urrejnë… Gëzohuni atë ditë dhe kërceni, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell” (Luka 6:22-23). Telashet për Jezusin e shtojnë thesarin tuaj në qiell—thesar që do të zgjatë shumë më tepër se toka.

Së dyti, gëzimi vjen nga Fryma e Shenjtë, jo nga përpjekjet, as nga imagjinata apo prejardhja jonë familjare. “Fryti i Frymës është... gëzimi” (Galatasve 5:22). “Duke e pranuar fjalën në shtrëngim të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë” (1 e Thesalonikasve 1:6).

Së treti, gëzimi vjen nga fakti që i përkasim mbretërisë së Perëndisë. “Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësi dhe paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë” (Romakëve 14:17).

Së katërti, gëzimi vjen përmes besimit, domethënë, nga të besuarit në Perëndinë. “Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqeje në besim” (Romakëve 15:13). “Dhe në këtë siguri e di, që do të rri dhe do të qëndroj me ju të gjithë për përparimin tuaj dhe për gëzimin e besimit tuaj” (Filipianëve 1:25).

Së pesti, gëzimi vjen nga soditja dhe njohja e Jezusit si Zot. “Gëzohuni gjithnjë në Zotin” (Filipianëve 4:4).

Së gjashti, gëzimi vjen nga bashkëbesimtarët, që mundohen fort për të na ndihmuar të përqendrohemi te këto burime gëzimi dhe jo te rrethanat mashtruese. “Jemi bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj” (2 e Korintasve 1:24).

Së shtati, gëzimi vjen nga efektet shenjtëruese të shtrëngimeve. “Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngime, duke ditur që shtrëngimi prodhon durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën” (Romakëve 5:3-4).

Nëse ende nuk jemi si Pali kur ai thotë: “Jam jashtë mase i gëzuar,” ai na bën thirrje të jemi si ai. “Jini imitues të mi, ashtu si unë jam i Krishtit” (1 e Korintasve 11:1). Për shumicën prej nesh, kjo është një thirrje për lutje të zellshme, për shkak se jeta e gëzimit në Frymën e Shenjtë është një jetë e mbinatyrshme.