EtjeShembull

Të duket ndonjëherë sikur po jeton, por pa jetë? Sikur dita kalon, por shpirti yt është i tharë? Ti ha, punon, fle… por diçka mungon. Nuk je i lodhur fizikisht, por shpirtërisht.
Jezusi tha:
Gjoni 10:10b (ALBB) 'Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.'
Por çfarë është kjo jetë “me bollëk”? A është thjesht më shumë nga ajo që kemi tani? Më shumë para, më shumë sukses, më shumë siguri? Apo ka të bëjë me diçka më të thellë, më të vërtetë, më të gjallë?
Bibla përdor dy fjalë për “jetë”:
BIOS—jeta fizike, rutina, ajo që bën çdo ditë.
ZOE—jeta e thellë, e përjetshme, e plotë që vetëm Perëndia mund të japë.
Kur Jezusi foli për jetë të bollshme, ai foli për ZOE.
Jo thjesht për të jetuar më gjatë, por për të jetuar më thellë.
Jo thjesht për të pasur më shumë, por për të qenë më shumë.
Jo thjesht për të kaluar ditët, por për t’u mbushur me qëllim, dashuri dhe shpresë.
Historia që na ka udhëhequr në këto javë—djali i humbur—është historia e shumë prej nesh.
Kur ai u kthye në shtëpi, nuk mori vetëm një përqafim. Ai mori një jetë të re. Mori një festë. Mori lidhje. Mori vendin e tij sërish në zemrën e familjes. Ai nuk u kthye për të qenë shërbëtor. U kthye për të jetuar si bir.
Ashtu si ai, edhe ti je ftuar të festosh, të lidhesh, të kontribuosh.
Të jetosh jetën ZOE—një jetë që është e gjallë, plot kuptim dhe përjetësisht e sigurt në duart e Perëndisë.
Mos u mjafto me “vetëm të mbijetosh” kur Perëndia të thërret të jetosh plotësisht.
Nëse je kthyer në shtëpi—festo.
Nëse je ende rrugës—eja.
Sepse shtëpia është aty ku je i pranuar, i dashur, dhe pjesë e një jete më të madhe se vetja jote.
Lutje: “Perëndi, më ndihmo të mos e kaloj thjesht jetën, por të jetoj plotësisht. Më jep jetën ZOE që Jezusi ka premtuar. Më ndihmo të lidhem me Ty, me njerëzit rreth meje, dhe të jem pjesë e planit Tënd të madh. Unë dua më shumë se një jetë me rutinë. Dua Jetën që Ti jep— jetën që ka kuptim, që nuk mbaron, që mbushet me Ty çdo ditë. Amen.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

A ndihesh ndonjëherë bosh, larg, i lodhur shpirtërisht apo i padashur? Ky plan është një udhëtim përmes etjeve më të thella të zemrës sonë – për dashuri, ndihmë, qëllim dhe jetë të vërtetë. Duke u frymëzuar nga historia prekëse e djalit plangprishës, ky plan të fton të kthehesh te Perëndia – aty ku gjen përqafim, shërim dhe një jetë të re. Shtëpia është më afër se mendon. Dhe dikush po të pret me krahë hapur.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al