EtjeShembull

Etje për Fillim të Ri
Ky plan nuk është vetëm për momentin kur vendos të ndjekësh Jezusin për herë të parë. Është për çdo ditë, sepse ecja me Zotin është një udhëtim i vazhdueshëm. Marrëdhënia me Të ka uljet dhe ngritjet e veta; ka ditë kur ndihemi afër dhe ditë kur duket sikur jemi shumë larg.
Ka raste kur e gjejmë veten të humbur, të larguar nga "shtëpia"—nga ai vendi ku ndjejmë paqe, qëllim dhe përkatësi. Ndonjëherë i kthejmë shpinën Perëndisë, duke ndjekur rrugët tona me shpresën se do të gjejmë diçka më shumë. Provojmë gjëra të reja, kërkojmë përgjigje, por brenda vetes ndjejmë se sado që të arrijmë, diçka mungon.
Etja për më shumë që përmendëm dje—etja për dashuri, për qëllim, për kuptim—është reale. Por shpesh përpiqemi ta shuajmë në vende të gabuara, larg burimit të jetës: larg Perëndisë. Dhe më pas, kur gjithçka zbrazet, kur jeta nuk na sjell atë që prisnim, kur përballemi me boshllëkun, na vjen një mendim: “Sikur ta kisha edhe një mundësi për të filluar nga fillimi…”
A të ka ndodhur ndonjëherë të mendosh kështu? A ke qenë ndonjëherë në një pikë ku e ke ndier nevojën për një fillim të ri? Nëse po, nuk je vetëm. Kjo është përvoja e shumë njerëzve—edhe e atyre që janë afër Perëndisë.
Historia e djalit plangprishës te Luka 15 është një pasqyrë e fortë e kësaj përvoje.
Luka 15:17-18 (ALBB) 'Atëherë erdhi në vete dhe tha: "Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria! Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t'i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje;'
Le të fokusohemi te dy momente kyçe nga kjo histori:
1. “Atëherë erdhi në vete…”
Ky është një moment zgjimi. Djali, i humbur dhe i zhgënjyer, në mes të urisë dhe boshllëkut, vjen në vete. Fillon të kuptojë se është larguar nga një vend ku kishte gjithçka që i duhej. Vjen një moment në jetë kur vendimet që kemi marrë na çojnë në situata që kurrë nuk i kishim menduar. Dhe ky moment ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt një fillimi të ri.
2. “Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë…”
Zgjimi nuk mjafton pa një vendim. Djali jo vetëm që e kuptoi gjendjen ku ndodhej, por mori vendimin për t'u kthyer. Kjo është pendesa—fjala greke “Metanoia” që do të thotë “ndryshim mendimi”, dhe fjala hebraike “Teshuva” që do të thotë “të kthehesh”. Kthimi te Ati është një akt guximi, një hap drejt restaurimit.
Shumë prej nesh e kemi kaluar këtë fazë të parë. Kemi ardhur në vete, kemi kuptuar se jemi larguar, kemi ndier keqardhje. Por ka nga ata që ende nuk kanë bërë hapin e dytë. Disa ndalen për shkak të turpit, të fajit, të krenarisë apo frikës. Pyetjet që lindin brenda nesh janë të thella:
“A do të më pranojnë kështu siç jam?”
“A do të më falin njerëzit rreth meje?”
“A mund të më falë Perëndia me gjithë çfarë kam bërë?”
E vërteta është se Perëndia është një Atë dashamirës. Ai nuk qëndron me duar të kryqëzuara duke gjykuar, por me krahë të hapur, gati për të mirëpritur çdo bir apo bijë që kthehet. Në historinë që lexuam, babai e pa të birin nga larg, vrapoi përpara dhe e përqafoi para se djali të thoshte gjë.
Kjo është zemra e Perëndisë për ty. Ai dëshiron të të japë një fillim të ri. Ai nuk pret që ti të jesh perfekt, Ai pret që ti të kthehesh. Dhe kthimi fillon me një lutje të thjeshtë, por të sinqertë.
“Perëndi, nëse Ti je i vërtetë, unë dua të të gjej. M’u shfaq Ti mua. Më bëj të kuptoj qartë që me Ty, unë mund t’ia filloj nga fillimi.”
Ti nuk ke pse të jetosh në ciklin e keqardhjes apo të përpiqesh të shuash etjen tënde në mënyra që nuk të sjellin paqe. Perëndia të njeh. Ai e di historinë tënde dhe të do. Ai është gati të të japë një fillim të ri, ashtu siç ia dha djalit plangprishës.
Historia e tij mund të jetë edhe historia jote. Sot është dita për të bërë një hap të vogël, por vendimtar. Tani është koha për t’u kthyer në shtëpi.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

A ndihesh ndonjëherë bosh, larg, i lodhur shpirtërisht apo i padashur? Ky plan është një udhëtim përmes etjeve më të thella të zemrës sonë – për dashuri, ndihmë, qëllim dhe jetë të vërtetë. Duke u frymëzuar nga historia prekëse e djalit plangprishës, ky plan të fton të kthehesh te Perëndia – aty ku gjen përqafim, shërim dhe një jetë të re. Shtëpia është më afër se mendon. Dhe dikush po të pret me krahë hapur.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al