Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 291 NGA 366

Qëllimi i begatisë

Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë të mirën me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë. (Efesianëve 4:28)

Ka tre nivele për të jetuarin me gjërat materiale: (1) ti mund të vjedhësh për t’i shtënë në dorë; (2) ose mund të punosh për t’i marrë ato; (3) ose mund të punosh për të marrë, në mënyrë që të japësh.

Shumë nga ata që identifikohen si të krishterë, jetojnë në nivelin e dytë. Kundrejt vjedhjes dhe lypjes ne përlëvdojmë punën dhe ndihemi sikur kemi vepruar virtytshëm nëse kemi hequr dorë nga vjedhja dhe lypja duke iu kushtuar punës së ndershme për një pagë të ndershme. Kjo nuk është gjë e keqe. Puna është më e mirë se vjedhja dhe të lypurit. Por kjo nuk është ajo që na kërkon apostulli.

Pothuajse të gjitha forcat e kulturës sonë na nxisin të jetojmë në nivelin e dytë: puno për të marrë. Por Bibla na shtyn me këmbëngulje drejt nivelit tre: puno për të marrë, në mënyrë që të japësh. “Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë ndaj jush, që të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë dhe t’ju teprojë për çfarëdo vepër të mirë” (2 e Korintasve 9:8).

Pse na bekon Perëndia me bollëk? Që të mund të kemi mjaftueshëm për të jetuar dhe pastaj ta përdorim pjesën tjetër për çfarëdolloj vepre të mirë që lehtëson mjerimin fizik dhe frymëror–vuajtjen e përkohshme dhe atë të përjetshme. Atë që mjafton për ne; bollëkun për të tjerët.

Çështja nuk është sa shumë fiton dikush. Bizneset e mëdha dhe rrogat e larta janë realitet i kohës sonë, dhe nuk janë doemos të liga. Ligësia është kur mashtrohesh të mendosh se një rrogë e lartë duhet të shoqërohet nga një stil luksoz i jetës.

Perëndia na ka krijuar që të jemi përcjellës të hirit të Tij. Rreziku është kur mendojmë se përcjellësi duhet të jetë i larë në flori. Në fakt, nuk ka pse të jetë ashtu. Edhe bakri e bën punën. Bakri mund të përcjellë pasuri të pabesueshme tek të tjerët. Ne shijojmë bekimin më të madh në vetë procesin e dhënies (Veprat 20:35).

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​