Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 292 NGA 366


Gëzimi i Jezusit në martesë

Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të, që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta paraqesë atë përpara vetes së tij si një kishë të lavdishme. (Efesianëve 5:25-27)

Arsyeja pse ka kaq shumë mjerim në martesë, nuk është fakti që burrat dhe gratë kërkojnë kënaqësinë e tyre, por fakti që nuk e kërkojnë atë në kënaqësinë e partnerit të tyre. Mandati biblik për burrat dhe gratë është të kërkosh gëzimin tënd në gëzimin e partnerit tënd.

Zor se ka ndonjë pasazh më tepër hedonist në Bibël sesa ai që flet për martesën tek Efesianëve 5:25-30. Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, ashtu si Krishti e deshi kishën.

Si e deshi Krishti kishën? Vargu 25 thotë se Ai e “dha veten e tij për të”. Pse? Vargu 26 thotë: “që ta shenjtërojë” dhe ta pastrojë atë. Përse donte ta bënte ai këtë? Vargu 27 përgjigjet: “që ta paraqesë atë përpara vetes së tij si një kishë të lavdishme.”

Ah! Ja ku është! “Për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin” (Hebrenjve 12:2). Cilin gëzim? Gëzimin e martesës me nusen e Tij, kishën. Gëzimin e paraqitjes së kishës para vetes së Tij, veshur me një lavdi të blerë me gjak.

Jezusi nuk synon të ketë një grua të pisët dhe jo të shenjtë. Prandaj Ai ishte i gatshëm që të vdiste për ta shenjtëruar dhe për ta pastruar të fejuarën e Tij, që të kishte mundësi ta paraqiste atë para vetes si një bashkëshorte “të lavdishme”. Ai e përmbushi dëshirën e zemrës së Tij duke e dhënë veten e Tij të vuajë për të mirën e nuses së Tij.

Pastaj Pali e zbaton këtë gjë te burrat në vargjet 28-30: “Kështu burrat duhet t’i duan gratë e tyre si trupat e tyre. Kush do gruan e vet, do vetveten. Sepse askush nuk e urreu kurrë mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me ngrohtësi për të, sikurse Zoti bën me kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, prej mishit të tij dhe prej kockave të tij.”

Jezusi u kishte thënë burrave dhe grave–dhe gjithë të tjerëve–“Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:39). Martesa është një vend i jashtëzakonshëm për ta zbatuar këtë urdhërim. Nuk është thjesht “siç” e do veten. Por ti realisht po tregon dashuri për veten. Kur e do personin me të cilin Perëndia të ka bërë një mish, ti je duke e dashur veten. Kjo do të thotë se gëzimi yt më i madh gjendet në kërkimin e gëzimit më të madh të bashkëshortes tënde.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​