Solid Joys ShqipShembull

Hedonizmi për bashkëshortët dhe bashkëshortet
Ashtu si kisha i nënshtrohet Krishtit, kështu edhe gratë t’u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka. Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të. (Efesianëve 5:24-25)
Në martesë ka një model dashurie të caktuar nga Perëndia.
Rolet e burrit dhe të gruas nuk janë të njëjtë. Bashkëshorti duhet t’i marrë udhëzimet e tij të veçanta nga Krishti, si kreu i kishës. Bashkëshortja duhet t’i marrë udhëzimet e saj të veçanta nga projektimi i Perëndisë për kishën, si e nënshtruar ndaj Krishtit.
Duke e bërë këtë, rezultatet e mëkatshme dhe të dëmshme të rënies fillojnë të zhbëhen. Rënia e shtrembëroi kryesinë e dashur të burrit në një sundim armiqësor te disa burra dhe në shpërfillje përtace tek të tjerët. Rënia e shtrembëroi nënshtrimin inteligjent dhe të vullnetshëm të gruas në servilizëm manipulues te disa gra dhe në mosbindje të pacipë tek të tjerat.
Shpengimi që pritëm kur Mesia erdhi më në fund në Jezu Krishtin, nuk ishte heqja e rendit të krijuar për kryesi të dashur dhe nënshtrim të vullnetshëm, por një ripërtëritje e tij. Bashkëshorte, shpengojeni nënshtrimin tuaj të rënë duke e modeluar atë sipas synimit të Perëndisë për një kishë të gëzueshme! Bashkëshortë, shpengojeni kryesinë tuaj të rënë duke e modeluar sipas synimit të Perëndisë për Krishtin, i cili do kaq bujarisht!
Tek Efesianëve 5:21-33, zbuloj këto dy gjëra: (1) shfaqjen e hedonizmit të krishterë në martesë dhe (2) drejtimin që duhet të ndjekin impulset e tij.
Bashkëshorte, kërkojeni gëzimin tuaj në gëzimin e bashkëshortit tuaj, duke e afirmuar dhe duke e nderuar rolin e tij të caktuar nga Perëndia si “kreu” ose udhëheqësi i marrëdhënies suaj. Bashkëshortë, kërkojeni gëzimin tuaj në gëzimin e bashkëshortes suaj duke pranuar përgjegjësinë për të udhëhequr si Krishti e udhëhoqi kishën dhe e dha veten e Tij për të.
Dua të jap dëshmi për mirësinë e Perëndisë në jetën time. Hedonizmin e krishterë e zbulova në të njëjtin vit që u martova, më 1968. Që nga ajo kohë, unë dhe Noël, duke treguar bindje ndaj Jezu Krishtit, kemi ndjekur me pasionin më të madh të mundshëm gëzimet më të thella dhe më jetëgjata të mundshme. Me shumë papërsosmëri, dhe në disa raste me gjysmë zemre, e kemi ndjekur gëzimin tonë në gëzimin e tjetrit.
Pas 54 vitesh martesë ne mund të dëshmojmë së bashku se: Për ata që martohen, ky është shtegu drejt dëshirës së zemrës. Për ne, martesa ka qenë një model për hedonizmin e krishterë. Ndërkohë që secili e kërkon gëzimin në gëzimin e tjetrit dhe përmbush një rol të caktuar nga Perëndia, misteri i martesës si shëmbëlltyrë e Krishtit dhe e kishës shpaloset për lavdinë e Tij të madhe dhe për gëzimin tonë të madh.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione