Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 295 NGA 366


Misteri i martesës

“Prandaj njeriu do të lërë atin e tij dhe nënën dhe do të ngjitet pas gruas së tij, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm.” Ky mister është i madh; por unë e them në lidhje me Krishtin dhe me kishën. (Efesianëve 5:31-32)

Te ky varg i Efesianëve 5:31, Pali po citon nga Zanafilla 2:24, që Moisiu e tha–dhe Jezusi tha se Perëndia foli nëpërmjet Moisiut (Mateu 19:5)–“Njeriu do ta lërë të atin dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.” Pali thotë se kjo fjalë e Perëndisë, e folur para rënies në mëkat, i referohet Krishtit dhe kishës, dhe për pasojë përmban një mister të madh.

Ajo që nënkuptohet këtu është se, kur Perëndia veproi për të krijuar burrin dhe gruan, dhe të themelonte bashkimin e martesës, Ai nuk hodhi zaret, nuk tërhoqi fijen apo të hidhte një monedhë për të vendosur se si do të lidheshin ata të dy me njëri-tjetrin. Ai e modeloi martesën shumë qëllimisht, sipas marrëdhënies që ekziston mes Birit të Tij dhe kishës, të cilën e kishte planifikuar që nga përjetësia.

Prandaj martesa është një mister–ajo përmban dhe fsheh një kuptim shumë herë më të madh se ai që mund të shohim nga jashtë. Perëndia e krijoi njeriun, mashkull dhe femër, dhe e caktoi martesën që marrëdhënia e përjetshme e besëlidhjes mes Krishtit dhe kishës së Tij të mund të shëmbëllehej në bashkimin martesor.

Përfundimi që Pali nxjerr prej këtij misteri, është që rolet e bashkëshortit dhe bashkëshortes në martesë nuk janë caktuar në mënyrë arbitrare, por janë të rrënjosura në rolet dalluese të Krishtit dhe kishës së Tij.

Ne që jemi të martuar, kemi nevojë të mendojmë vazhdimisht se sa e mistershme dhe e mrekullueshme është që Perëndia na jep në martesë privilegjin për të pasqyruar realitete të jashtëzakonshme hyjnore, të cilat janë pafundësisht më të mëdha dhe më madhështore se ne.

Ky mister i Krishtit dhe i kishës është themeli i modelit të dashurisë që Pali përshkruan në martesë. Nuk mjafton të themi që si bashkëshorti ashtu edhe bashkëshortja duhet ta kërkojnë gëzimin e vet në gëzimin e tjetrit. Kjo është e vërtetë, por nuk mjafton. Gjithashtu është e rëndësishme të themi se bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet ta imitojnë me vetëdije marrëdhënien që Perëndia kishte në mendje për Krishtin dhe kishën. Domethënë, secili duhet të kërkojë të jetojë sipas modelit të dallueshëm të projektimit të pastër dhe të gëzueshëm të Perëndisë për Krishtin dhe kishën.

Shpresoj ta merrni seriozisht këtë gjë, qofshi beqarë apo të martuar, të moshuar apo të rinj. Zbulesa e Krishtit besëlidhjembajtës dhe e kishës besëlidhjembajtëse varet nga kjo.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​