Solid Joys ShqipShembull

Mesazhi i krijimit
Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e ndërruan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të prishshëm, të shpendëve, të katërkëmbëshave dhe të rrëshqanorëve. (Romakëve 1:22-23)
Do të ishte marrëzi dhe tragjedi e madhe nëse një burrë do të donte unazën e martesës më shumë se nusen e tij. Sidoqoftë, ky pasazh thotë se bëjmë pikërisht këtë.
Qeniet njerëzore kanë rënë në dashuri me jehonat e përsosmërisë së Perëndisë në krijim dhe kështu e kanë humbur aftësinë për të dëgjuar kumbimin origjinal dhe të pakrahasueshëm të dashurisë, fuqisë dhe lavdisë.
Mesazhi i krijimit është ky:
Përtej gjithë këtij universi të mahnitshëm, ekziston një Perëndi madhështor i mbushur plot me lavdi, fuqi dhe bujari; ti i përket Atij, sepse Ai të krijoi. Ai tregohet i duruar me ty, teksa e mban në ekzistencë jetën tënde rebele. Kthehu dhe mbështete shpresën tënde tek Ai, gjej kënaqësi në Të dhe jo thjesht në veprat e Tij!
Sipas Psalmit 19:1-2, dita përcjell “fjalimin” e atij mesazhi tek të gjithë ata që do të dëgjojnë, duke folur përmes rrezatimit verbues të diellit, qiellit blu dhe reve, përmes formave dhe ngjyrave të panumërta, si dhe përmes projektimeve të bukura të të gjitha gjërave të dukshme. Nata përcjell “njohurinë” e të njëjtit mesazh tek të gjithë ata që do të dëgjojnë natën, duke folur përmes zbrazëtive të mëdha e të errëta, përmes hënës verore dhe yjeve të panumërt, përmes tingujve të çuditshëm, puhizave dhe dritave polare.
Dita dhe nata po thonë një gjë: Perëndia është i lavdishëm! Perëndia është i lavdishëm! Perëndia është i lavdishëm! Largohu nga krijimi si kënaqësia jote më e madhe dhe gjej kënaqësinë tënde në Zotin e lavdisë.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione