Solid Joys ShqipShembull

Hiri i Perëndisë në dhuntitë frymërore
Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si administratorë të mirë të hirit shumëfarshëm të Perëndisë. (1 e Pjetrit 4:10)
Kur përdorim dhuntitë tona frymërore, ne po administrojmë hirin–jo hirin e djeshëm, por atë të sotmin, i cili mbërrin te ne në çdo moment nevoje. Ky hir i së ardhmes është një “hir i shumëfarshëm”. Ai vjen në shumë ngjyra, forma dhe madhësi. Kjo është një nga arsyet pse dhuntitë frymërore në trupin e Krishtit janë aq të larmishme. Prizmi i dhuntive të Perëndisë në jetën tënde do të përthyejë ngjyrime të lavdisë hyjnore, të cilat nuk do të dalin kurrë nga prizmi im.
Ka aq lloje hiri të ardhshëm sa ka edhe nevoja në trupin e Krishtit–dhe më tepër madje. Qëllimi i dhuntive frymërore është që të marrim dhe të shpërndajmë hirin e ardhshëm të Perëndisë në ato nevoja.
Gjithsesi, dikush mund të pyesë: “Pse thua që Pjetri po i referohet hirit të ardhshëm? A nuk mbikëqyr administratori pasuritë e familjes, të cilat tashmë i ka në dispozicion?”
Arsyeja kryesore pse e kuptoj që Pjetri i referohet hirit të ardhshëm, është për shkak se vargu pasues ilustron se si funksionon kjo gjë, dhe atje flitet për furnizime të vazhdueshme të hirit të ardhshëm. Vargu thotë: “Kush bën një shërbim, le ta bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit” (1 e Pjetrit 4:11). Fjala është “jep”, jo “dha”. Ndërsa ti shërben, shërbe në fuqinë e furnizimit të vazhdueshëm të hirit të Perëndisë për të bërë atë që ke nevojë të bësh.
Kur e përmbush dhuntinë tënde frymërore për t’i shërbyer dikujt nesër, do të shërbesh “në fuqinë që jep Perëndia”–dhe furnizimi do të vijë nesër, jo sot. “Forca jote vazhdoftë sa janë ditët e tua” (Ligji i Përtërirë 33:25).
Perëndia vazhdon, ditë pas dite, çast pas çasti, të furnizojë “forcën” në të cilën ne shërbejmë. Ai e bën këtë, për shkak se ai që e merr lavdinë, është furnizuesi i vazhdueshëm dhe i pashtershëm i fuqisë. “Kush bën një shërbim, le ta bëjë në forcën që i jep Perëndia–që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit.”
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione