Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 203 NGA 366

Modele për të luftuar dekurajimin

Mishi im dhe zemra ime mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi. (Psalmi 73:26)

Kuptimi i drejtpërdrejtë i foljes së përdorur këtu është ligështohen, jo “mund të ligështohen”. Asafi, ky psalmist i dhënë pas Perëndisë, thotë: “Mishi im dhe zemra ime ligështohen!” Jam i dëshpëruar! Jam i dekurajuar! Por menjëherë pas kësaj lëshon një goditje dërrmuese kundër dëshpërimit të tij: “Por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.”

Psalmisti nuk i dorëzohet dekurajimit. Ai lufton me mosbesimin dhe hidhet në kundërsulm.

Në thelb, ai thotë: “Në veten time ndihem shumë i dobët, i pafuqishëm dhe i paaftë për t’ia dalë. Trupi im është i lodhur, zemra ime pothuajse ka vdekur. Por cilado qoftë arsyeja për këtë dëshpërim, unë nuk do të dorëzohem. Do të besoj në Perëndinë dhe jo në veten time. Ai është fuqia ime dhe pjesa ime.”

Bibla është e mbushur plot me raste kur shenjtorët u përleshën me një shpirt të dekurajuar. Psalmi 19:7 thotë: “Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin.” Ky është një pohim i qartë se ka raste kur shpirti i shenjtorit ka nevojë që të përtërihet. Dhe nëse ka nevojë të ripërtërihet, në njëfarë kuptimi ai ishte “i vdekur”. Kështu ndihej shenjtori në shpirtin e tij.

Davidi thotë të njëjtën gjë te Psalmi 23:2-3: “Më prin tek ujërat e qeta. Ai ma përtërin shpirtin.” Shpirti i njeriut sipas zemrës së Perëndisë (1 i Samuelit 13:14) ka nevojë që të përtërihet. Shpirti i tij po vdiste nga etja dhe ishte gati të rrëzohej përtokë i këputur, por Perëndia e udhëhoqi shpirtin te uji dhe i dha sërish jetë.

Perëndia i ka vendosur këto dëshmi në Bibël, që ne t’i përdorim për të luftuar kundër mosbesimit të dëshpërimit. Ne luftojmë me shpërthimin e besimit në premtimet e Perëndisë: “Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime përjetë.” Ne ia predikojmë këtë vetes dhe po ashtu ia përplasim në fytyrë Satanit. Këtë premtim ne edhe e besojmë.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​