Solid Joys ShqipShembull

Kur lëndohesh nga një i krishterë tjetër
Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat. (1 e Pjetrit 2:24)
Cila është baza e mos mbajtjes mëri ndaj vëllezërve dhe motrave tona të krishterë që pendohen?
Revoltimi ynë moral për shkak të një fyerjeje të rëndë që na është bërë nuk avullon thjesht sepse personi që e bëri fyerjen është i krishterë. Në fakt, ne ndihemi edhe më të tradhtuar. Një “më vjen keq” e thjeshtë, shpesh do të duket si krejt e pavend në krahasim me dhimbjen dhe shëmtinë e fyerjes.
Megjithatë, në këtë rast kemi të bëjmë me të krishterë të tjerë dhe premtimi i zemërimit të Perëndisë kundër atyre që na fyejnë nuk vlen, sepse “tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Romakëve 8:1). “Sepse Perëndia nuk na ka caktuar [ne të krishterët] për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë, Jezu Krisht” (1 e Thesalonikasve 5:9). Duket sikur ata do t’ia hedhin pa u lagur!
Ku të shkojmë për ta siguruar veten që drejtësia do të vendoset në vend—që krishterimi nuk është një tallje me seriozitetin e mëkatit?
Përgjigjja është që të shohim kryqin e Krishtit. Të gjitha të ligat që janë bërë kundër nesh nga besimtarë të vërtetë, u shpaguan në vdekjen e Jezusit. Kjo nënkuptohet në faktin e thjeshtë dhe njëkohësisht mahnitës se të gjitha mëkatet e të gjithë popullit të Perëndisë u vendosën mbi Jezusin. “Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve” (Isaia 53:6; 1 e Pjetrit 2:24).
Vuajtja e Krishtit ishte ndëshkimi dhe shpagimi real i Perëndisë për çdo lëndim që ke përjetuar ndonjëherë nga një besimtar tjetër i krishterë. Prandaj, krishterimi nuk e merr lehtë mëkatin dhe nuk i shton përçmim lëndimit tonë.
Përkundrazi, krishterimi i merr aq seriozisht mëkatet e kryera kundër nesh, saqë për të vënë në vend drejtësinë, Perëndia dha Birin e Tij që të vuante më tepër nga sa mund ta bënim ne dikë të vuante për atë që na kanë bërë ne. Nëse vazhdojmë të mbajmë mëri kundër një besimtari tjetër, për pasojë jemi duke thënë që kryqi i Krishtit nuk ishte një shpagim i mjaftueshëm për mëkatet e popullit të Perëndisë. Kjo është një fyerje, të cilën nuk do të donit ta hidhnit mbi Krishtin dhe kryqin e Tij.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione