Solid Joys ShqipShembull

Besimi e dëbon fajin, lakminë dhe frikën
Qëllimi përfundimtar i kësaj porosie është dashuri, prej zemre të pastër, prej ndërgjegjeje të pastër dhe prej besimi pa hipokrizi. (1 e Timoteut 1:5)
Pali synon dashurinë. Një nga burimet thelbësore për këtë efekt madhështor është besimi i sinqertë. Arsyeja pse besimi është një burim kaq i sigurt për dashurinë, është se besimi në hirin e Perëndisë i dëbon nga zemra fuqitë e mëkatshme, që e pengojnë dashurinë.
Nëse ndihemi fajtorë, kemi prirjen të zhytemi në një depresion dhe keqardhje, që kanë veten në qendër, dhe kështu nuk jemi në gjendje të shohim, e jo më të kujdesemi për nevojën e dikujt tjetri. Ose luajmë rolin e hipokritit për ta mbuluar fajin tonë, dhe kështu e shkatërrojmë gjithë sinqeritetin në marrëdhënie, dhe kjo e bën të pamundur dashurinë e vërtetë. Ose flasim për gabimet e të tjerëve për të minimizuar fajin tonë, gjë që dashuria nuk e bën. Prandaj, nëse do të duam, duhet që t’i mposhtim efektet shkatërruese të fajit.
E njëjta gjë vlen edhe për frikën. Nëse ndihemi të frikësuar, kemi prirjen të mos i afrohemi një të panjohuri në kishë, i cili mund të ketë nevojë për një fjalë mikpritjeje apo inkurajimi. Ose mund ta refuzojmë misionin në një vend të huaj si thirrjen tonë, për shkak se tingëllon si tepër e rrezikshme. Ose mund të harxhojmë para për siguracione të mëdha, ose të përmbytemi nga lloj-lloj frikërash të vogla, të cilat na bëjnë të preokupohemi me veten dhe na verbojnë ndaj nevojave të të tjerëve. Të gjitha këto janë e kundërta e dashurisë.
E njëjta gjë vlen edhe për lakminë. Nëse jemi lakmitarë, mund të harxhojmë para për lukse—para që duhet të jepet për ta përhapur ungjillin. Ne nuk ndërmarrim asgjë të rrezikshme, që të mos rrezikohen pasuritë tona të çmuara dhe e ardhmja jonë financiare. Ne përqendrohemi te gjërat në vend të njerëzve, ose i shohim njerëzit si burime për përfitimin tonë material. Kështu shkatërrohet dashuria.
Gjithsesi, besimi në hirin e ardhshëm prodhon dashuri duke i dëbuar fajin, frikën dhe lakminë nga zemra jonë.
Besimi e dëbon fajin, për shkak se mbahet fort në shpresën që vdekja e Krishtit është e mjaftueshme për të siguruar shfajësim dhe drejtësi, tani dhe përjetë (Hebrenjve 10:14).
Besimi e dëbon frikën, për shkak se mbështetet në premtimin: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty... Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime” (Isaia 41:10).
Besimi gjithashtu e dëbon lakminë, për shkak se ka sigurinë që Krishti është pasuri më e madhe nga gjithçka që bota mund të na ofrojë (Mateu 13:44).
Prandaj, kur Pali thotë: “Qëllimi përfundimtar i kësaj porosie është dashuri... prej besimi pa hipokrizi,” ai po flet për fuqinë e jashtëzakonshme të besimit për t’i tejkaluar të gjitha pengesat ndaj dashurisë. Kur ne luftojmë luftën e besimit–luftën për t’i besuar premtimet e Perëndisë, të cilat e vrasin fajin, frikën dhe lakminë–jemi duke luftuar për dashurinë.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione