Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 186 NGA 366

Kur do të kënaqem?

“Dhe i bëra të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin, që dashuria, me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta dhe unë në ta.” (Gjoni 17:26)

Përfytyro sikur të jesh në gjendje të kënaqesh përgjithmonë me atë që është më tepër e kënaqshme, me një energji dhe pasion të pakufishëm, dhe gjithnjë e në rritje.

Ky nuk është përjetimi ynë. Ka tri gjëra që e pengojnë kënaqësinë tonë të plotë në këtë botë.

  1. Asgjë në këtë botë nuk ka një vlerë personale aq të madhe sa t’i përmbushë dëshirat më të thella të zemrave tona.
  2. Na mungon fuqia për ta shijuar në maksimum vlerën e thesareve më të mira.
  3. Kënaqësisë tonë ndaj gjërave këtu në tokë i vjen fundi. Asgjë nuk zgjat.

Megjithatë, nëse synimi i Jezusit te Gjoni 17:26 përmbushet, e gjithë kjo do të ndryshojë. Ai i lutet Atit të Tij për ne: “Dhe i bëra të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin, që dashuria, me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta dhe unë në ta.” Perëndia nuk e do Birin ashtu siç i do mëkatarët. Ai e do Birin sepse Biri është pafundësisht i denjë për dashuri. Domethënë, Ai e do Birin për shkak se Biri është pafundësisht i bukur. Kjo do të thotë se kjo dashuri është kënaqësi totale. Jezusi lutet që kjo kënaqësi që Perëndia ka në Birin e Tij të jetë e njëjta kënaqësi që ne kemi në Birin.

Nëse kënaqësia e Perëndisë në Birin bëhet kënaqësia jonë, atëherë objekti i kënaqësisë tonë, Jezusi, do të jetë një burim i pashtershëm vlere personale. Ai nuk do të bëhet kurrë i mërzitshëm, zhgënjyes ose irritues. S’mund të konceptohet një thesar më i madh se Biri i Perëndisë.

Megjithatë, kësaj shtoji atë për të cilën Jezusi lutet: domethënë, faktin që aftësia jonë—energjia jonë dhe pasioni ynë—për ta shijuar këtë thesar të pashtershëm nuk do të kufizohen nga dobësia njerëzore. Ne do ta shijojmë Birin e Perëndisë me vetë kënaqësinë e e Atit të Tij të gjithëpushtetshëm.

Kënaqësia e Perëndisë në Birin eTij do të jetë në ne dhe do të jetë kënaqësia jonë. Kjo nuk do të ketë kurrë fund, sepse as Ati dhe as Biri nuk kanë fund. Dashuria e tyre për njëri-tjetrin do të jetë dashuria jonë për ta dhe për pasojë, dashuria jonë për ta nuk do të ketë kurrë fund.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​