Solid Joys ShqipShembull

Kur arsyeja i shërben rebelimit
Përtaci thotë: “Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës.” (Fjalët e Urta 22:13)
Kjo nuk është ajo që prisja të thoshte fjala e urtë, por do të kisha pritur që ajo të thoshte: “Frikacaku thotë: ‘Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës.’” Gjithsesi ajo thotë “përtaci”, jo “frikacaku”. Prandaj, emocioni mbizotërues këtu është përtacia, jo frika.
Sidoqoftë, çfarë lidhje ka përtacia me rrezikun e një luani në rrugë? Zakonisht, ne nuk themi: “Ky njeri është tepër përtac të shkojë e të punojë, për shkak se në rrugë ka një luan.”
Ideja është që përtaci krijon rrethana imagjinare për të justifikuar mosbërjen e punës së tij, dhe kështu zhvendos përqendrimin nga vesi i përtacisë së tij te rreziku nga luanët. Askush nuk do ta miratojë qëndrimin e tij gjithë ditën në shtëpi, thjesht sepse ai është përtac. Gjithsesi, ata mund ta justifikojnë atë nëse në rrugë ka një luan.
Një zbulim domethënës biblik që kemi nevojë të mësojmë nga kjo është që zemra jonë e shfrytëzon mendjen për të justifikuar atë që duam. Domethënë, dëshirat tona më të thella i paraprijnë funksionimit të arsyeshëm të mendjeve tona dhe e shtyjnë mendjen të perceptojë dhe të mendojë në një mënyrë që i bën dëshirat të duken me vend, edhe pse ato janë të gabuara.
Këtë po bën përtaci. Ai dëshiron fort që të qëndrojë në shtëpi dhe të mos punojë. Nuk ka asnjë arsye të mirë për të qëndruar në shtëpi. Prandaj, çfarë bën ai? A e mposht ai dëshirën e tij të ligë—përtacinë e tij? Jo, ai e përdor mendjen për të krijuar rrethana të paqëna për të justifikuar dëshirën e tij.
Jezusi tha: “Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta” (Gjoni 3:19). Ne e duam errësirën që të vazhdojmë të bëjmë atë që duam pa u ekspozuar. Në këtë gjendje, mendja bëhet fabrikë errësire—burim i gjysmë të vërtetave, i dykuptimësive, shtrembërimeve, shmangieve dhe gënjeshtrave—e çdo gjëje për t’i ruajtur dëshirat e liga të zemrës nga ekspozimi dhe nga shkatërrimi.
Mendo dhe tregohu i urtë!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione