Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 165 NGA 366

Kush e vrau Jezusin?

Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të? (Romakëve 8:32)

Një nga miqtë e mi, i cili ishte pastor në Illinois para disa vitesh, po i predikonte një grupi të burgosurish gjatë Javës së Pashkës. Në një moment gjatë mesazhit të tij, ai ndaloi dhe i pyeti burrat nëse e dinin se kush e vrau Jezusin.

Disa thanë se e vranë ushtarët. Disa thanë se e vranë judenjtë. Të tjerë thanë se e vrau Pilati. Pas një kohë heshtjeje, shoku im thjesht tha: “Ati i Tij e vrau.”

Këtë thotë pjesa e parë e Romakëve 8:32: Perëndia nuk e kurseu Birin e Tij, por e dorëzoi—në vdekje. “Ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve” (Veprat 2:23). Isaia 53 e thotë edhe më hapur: “Ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia... Por i pëlqeu Zotit [Atit të tij] ta rrihte dhe ta bënte të vuante” (Isaia 53:4, 10).

Ose siç thotë edhe Romakëve 3:25: “Të cilin e paraqiti Perëndia si pajtimore nëpërmjet besimit në gjakun e tij.” Ashtu sikurse Abrahami e ngriti thikën mbi gjoksin e birit të tij, Isakut, por pastaj e kurseu birin e tij për shkak se i kapur në shkurre ishte një dash, po ashtu edhe Perëndia Atë e ngriti thikën mbi gjoksin e Birit të Tij, Jezusit—por nuk e kurseu Atë, sepse Ai ishte dashi; Ai ishte zëvendësuesi.

Perëndia nuk e kurseu Birin e Tij, sepse kjo ishte mënyra e vetme se si Ai mund të na kursente ne, dhe ende të ishte Perëndi i drejtë dhe i shenjtë. Faji i shkeljeve tona, ndëshkimi i paudhësive tona, mallkimi i mëkatit tonë do të na kishin çuar pashmangshmërisht në shkatërrimin e ferrit. Megjithatë Perëndia nuk e kurseu Birin e Tij; Ai e dorëzoi që të tejshpohej për shkeljet tona, të shtypej për paudhësitë tona dhe të kryqëzohej për mëkatet tona.

Ky varg—Romakëve 8:32—është për mua vargu më i çmuar në Bibël, sepse themeli i premtimit gjithëpërfshirës të hirit të ardhshëm të Perëndisë është që Biri i Perëndisë mbajti në trupin e Tij gjithë ndëshkimin tim, gjithë fajin tim, gjithë dënimin tim, gjithë fajësimin tim dhe gjithë prishjen time. Të gjithë këtë e bëri që unë të mund të qëndroj i falur, i pajtuar, i drejtësuar, i pranuar para një Perëndie të madh dhe të shenjtë, dhe të jem përfitues i premtimeve të patregueshme të kënaqësisë përjetë në të djathtën e Tij.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​