Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 166 NGA 366

Sa shumë dëshiron Perëndia të të bekojë

“Zoti do të kënaqet përsëri duke të të bërë të mirën.” (Ligji i Përtërirë 30:9)

Perëndia na bekon me dëshirë. Ekziston një lloj gatishmërie në bamirësinë e Perëndisë. Ai nuk pret që ne të vijmë tek Ai. Ai na kërkon, sepse është kënaqësi për Të të na bëjë të mirën. Perëndia nuk pret për ne; Ai është duke na kërkuar. Ky në fakt është përkthimi i drejtpërdrejtë i Psalmit 23:6: “Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës time.”

Perëndisë i pëlqen të tregojë mëshirë. Më lejo ta them sërish. Perëndisë i pëlqen të tregojë mëshirë. Ai nuk është hezitues, i pavendosur ose i lëkundur në dëshirat e Tij për t’i bërë mirë popullit të Tij. Zemërimi i Tij mund të derdhet vetëm pasi janë hequr shulat e fortë, por mëshira e Tij çlirohet jashtëzakonisht lehtë. Këtë donte të thoshte kur Ai zbriti mbi Malin e Sinait dhe i tha Moisiut: “Zoti, Zoti Perëndi, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri” (Eksodi 34:6). Këtë donte të thoshte te Jeremia 9:24: “Jam Zoti, që ushtroj mirësinë, gjykimin dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra, thotë Zoti.”

Perëndia nuk është kurrë i irrituar ose i paduruar. Zemërimi i Tij nuk ndizet kurrë kollaj. Përkundrazi, Ai është pafundësisht energjik dhe ka një entuziazëm absolutisht të pakufishëm për përmbushjen e kënaqësive të Tij.

Vështirë se mund ta kuptojmë këtë, sepse thjesht për të mbijetuar na duhet të flemë çdo ditë, e jo më për të lulëzuar. Emocionet tona shkojnë lart e poshtë. Ne mërzitemi dhe dekurajohemi një ditë dhe ndiejmë shpresë dhe ngazëllim ditën tjetër.

Ne jemi si gejzerë të vegjël që gurgullojnë, spërkasin dhe shpërthejnë në mënyrë të çrregullt. Por Perëndia është si një ujëvarë e madhe e Niagarës—ti sheh 186,000 ton ujë që derdhen nga shkëmbinjtë çdo minutë dhe mendon: Me siguri që kjo s’mund të vazhdojë me këtë forcë vit pas viti. E megjithatë vazhdon.

Kështu është Perëndia kur na bën ne të mirën. Ai nuk lodhet kurrë. Nuk bëhet kurrë e mërzitshme për Të. Niagara e hirit të Tij nuk ndalon kurrë.

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​